Kosova

Peter Stano flet për Albanian Post, pasi Besnik Bislimit nuk iu lejua vizita në Beograd


Foto nga Albanian Post

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për Albanian Post se nuk do të duhej të kishte keqkuptime dhe politizime të vizitave të ndërsjella të zyrtarëve nga Kosova e Serbia, pas ndalimit që iu bë zëvendës-kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi në Beograd.

Bislimi po shkonte në Beograd të merrte pjesë në një forum atje, por u kthye prapa, sepse shteti serb ia kumtojë që s’mund t’i ofrojë siguri derisa qëndron në Serbi.

Stano pohon se telashe të tilla s’do duhej të ndodhnin meqë janë të rregulluara me marrëveshjen e arritur në Bruskel për vizita zyrtare.

“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e normalizimit të raporteve dhe  mirëkuptimin ndërmjet palëve, dhe nuk do të duhej të politizoheshin”, pohon Stano.

“BE-ja kërkon nga të dyja palët që të zgjidhin këto mosmarrëveshje dhe keqkuptime përmes dialogut në mirëbesim, duke përdorur kanalet e komunikimit të vendosura përmes zyrtarëve ndërlidhës”, thotë zëdhënësi i BE-së për Albanian Post.

“Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të implementojnë obligimet që kanë lënë peng, përfshirë vizat e ndërsjella zyrtare”.

Çfarë ndodhi?

Besnik Bislimi, zi zëvendës-kryeministër i Kosovës dhe shef i ekipit negociator në Bruksel, ishte paraparë të merrte pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike.

Aty i ftuar ishte edhe homologu serb i Bislimit në dialogu, Petar Petkoviç.

Siç ishte njoftuar, Bislimi kishte lajmëruar vizitën e tij brenda afateve të caktuara dhe i ishte dhënë leja për të udhëtuar drejt Beogradit.

Zyrtari ndërlidhës për Kosovën i kishte ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në komunikim me Forumin si organizator, Qeverinë e Kosovës dhe Serbisë dhe përfaqësuesin e BE-SË Miroslav Lajçak.

Besnik Bislimi

Por, qysh nga pika kufitare në Merdare, ishin paraqitur probleme të prezantuara si teknike për Bislimin.

Përfundimisht, kur ishte afruar të futej në Beograd, një veturë policia kishte ndaluar eskortën e Bislimit dhe i kishin thënë se më mirë të ktheje prapa, sepse ata s’mund të ofrojnë siguri për të.

Vetë Bislimi është deklaruar pas ardhjes në Kosovë.

Para mediave ka thënë se qëllimi i ndalesës së tij ishte që në Serbi “t’i pamundësohet pjesëmarrja një zëvendës-kryeministri të Kosovës dhe të mos lejohet të dëgjohet versioni ynë”.

Gjithsesi, u ka kërkuar falje organizatorëve dhe ka thënë se “nesër do të provoj të kyçem me Zoom, apo Skype”.

Kurse Dushan Janjiç, drejtor i Forumit që kishte ftuar Bislimin, është shprehur i zhgënjyer me çfarë ka ndodhur.

Ai pohoi për gazetën serbe Danas, se kthimi i Bislimit bie ndesh me atë çfarë presidenti serb, ALeksandër Vuçiç, deklaronte se qëndron “për paqe”.

Janjiç ka sqaruar se “qëllimi kryesor i diskutimit ishte vështrimi i gjithanshëm i situatës, sfidave (mundësive të favorshme, por edhe pengesave) për përmirësimin e procesit integrues në BE të rajonit”.

Dushan Janjic

Bislimi në veçanti do fliste për këtë rrugë por nga prizmi i Kosovës.

Ai në Beograd do qëndronte dy ditë.

Për të premten ishte paraparë që të marrte pjesë në Konferencën e Beogradit te Sigurisë, në një panel kushtuar dialogut Kosovës dhe Serbisë.

“Njëzet e tre vjet pas përfundimit të luftës dhe gati dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, duket se përfundimi i çështjes së Kosovës nuk është në dukje”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të Qendrës së Beogradit për Politika e Sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore