Pesëfishimi i Inspektorëve të Punës, një tjetër premtim i pambajtur i Qeverisë Kurti
SHFLETO
Arikv: Mbledhja e Qeverisë së Kosovës
Sahide Brati
17.07.2024 12:54
Loading Icons...
Një nga premtimet e Albin Kurtit, tani Kryeministër i Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, kishte qenë pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo në më shumë se tri vjet e gjysmë qeverisje në mandatin katër vjeçar, ky zotim nuk është aspak afër realizmit – ashtu si shumë premtime të tjera.
Pra, numri nuk është fare afër pesëfishimit.
Para se Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të vinin në pushtet, në vitin 2020, kanë qenë 40 inspektorë të punës.
Mirëpo, kur ata veçse po qeverisnin në vitin 2022, fillimisht numri i inspektorëve u zvogëlua në 22 e tani kur është në fund të mandatit qeverisës janë mbi 60.
Por, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës së Kosovës, Hekuran Nikçi, ka thënë për Albanian Post, se krahasuar me vitin 2022 tash situata është më mirë duke theksuar se do të ketë shtim të inspektorëve.
“Numri aktual mbi 60 i inspektorëve të punës është një numër shumë më i mirë në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve se sa ka qenë numri në qershor 2022. Por, ju njoftoj se përgjatë këtij viti do ta shtojmë numrin e inspektorëve të rinj të punës tutje”, tha Nikçi.
Kryeinspektori, potencoi se në vitin 2024 janë kryer mbi 5 mijë inspektime dhe janë shqiptuar 787 gjoba.
“Gjatë vitit 2023 në periudhën janar qershor janë realizuar 3675 inspektime dhe janë shqiptuar 429 masa ndëshkimore. Ndërsa, në këtë vit, 2024, në periudhën janar-qershor janë realizuar 5960 inspektime dhe janë shqiptuar 787 masa ndëshkimore”, shtoi ai.
Lidhur me pesëfishimin e inspektorëve të punës, Albanian Post, ka pyetur Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer një përgjigje.
Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, vlerëson se për punëtorët e sektorit privat gjërat nuk kanë lëvizur pozitivisht qëkur Qeveria mori pushtetin.
“Vitin e kaluar kemi pasur 23 raste të vdekjeve, vetëm në vitin 2018 i kemi pas 27 raste të vdekjes në vend të tyre të punës, përndryshe viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht shumë i rëndë për shumë familje, kemi pasur 27 raste të vdekjeve. Kështu që nuk ka ndonjë përmirësim të veçantë ose së paku nuk kemi mundur të vërejmë diçka në këtë aspekt”, potencoi Azemi.
Tutje, shtoi se “nuk ka pas kontrolle të mjaftueshme, por ndoshta edhe ato kontrolle kur janë bërë, janë bërë sa për sy e faqe”.
Përpos shtimit të inspektorëve, në programin e LVV-së, listoheshin shumë premtime, ku zotohej se punëtorëve do të iu garantoheshin kushte të dinjitetshme të punës, ata do të kishin kontrata, kontribute pensionale të paguara, pastaj, jo më shumë se 40 orë punë të rregullt në javë e të tilla.
Por, kur ekzekutivi pati mundësinë të ndryshonte gjërat, konsiderohet se nuk ka bërë asgjë për këta punonjës ngase ata nuk i kanë as kushtet elementare, pavarësisht që ato u kërkuan për shumë kohë.
“Shpresoj që Zoti i ruan punëtorët nga lëndimet dhe nga rastet e vdekjeve, përndryshe institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë pothuajse asgjë. Nëse tash del në periferi të Prishtinës, 50 për qind të punëtorëve i sheh që nuk janë të pajisur me pajisjet adekuate dhe realisht në çdo moment rrezikohet jeta e këtyre punëtorëve”, ka shtuar ai.
Kryetari Azemi, kujton edhe disa çështje të tjera duke shtuar se pushteti nuk iu gjeti zgjidhje.
“Kjo Qeveri nuk i ka ndihmuar punëtorët e sektorit privat të Kosovës ama as me elementin më të vogël, as nuk ka ndikuar te rritja e pagave, as nuk ka ndikuar që të paguhen kontributet me rregull, as nuk kemi marrëveshje kolektive realisht e kemi një pagë tash minimale, e cila po themi e ka tejkaluar, e ka shkelur koha”, tha ai për AP.
“Kur po na vdesin punëtorët në shumicën e rasteve nuk i kemi as gjërat më elementare për t’i kryer ceremonitë e varrimit si duhet përkundër asaj që ne si sindikatë me dekada kemi kërkuar që ta kemi një buxhet”.
Më tej, Azemi ka folur edhe për rëndësinë e respektimit të ligjit.
“Ne më tepër jemi të shqetësuar se sa po e kryejnë punën si duhet dhe mënyrën ligjore inspektorët e punës se sa që është numri i tyre edhe se sa i respektojnë inspektorët rregulloret e veta që i kanë”, ka deklaruar për Albanian Post.
E Deputeti në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka vlerësuar se ky është vetëm njëri prej dështimeve të shumta të Qeverisë.
“Si në çdo premtim tjetër që ka dështuar, ka dështuar edhe në këtë aspekt dhe mendoj që nëse duhet me emëru Qeverinë Kurti, me një emër, unë mendoj që duhet të jetë Qeveria e dështimit”, ka thënë Qalaj.
Deputeti deklaron se “përveç që është Qeveri e tenderëve njëburimor, përveç që është qeveri e korrupsionit, ne mund të shtojmë edhe një epitet që duhet të jetë qeveria e dështimeve e të gjitha premtimeve që i ka bërë”.
Meqë për më shumë se 3 vjet në qeverisje nuk u përmbush premtimi për inspektorët, në mandatin e mbetur nuk pritet një gjë e tillë.
“Absolutisht jo, në mandatin që fatkeqësisht i ka mbetur ai duhet të përgatitet sa më shpejt që është e mundur dhe të ec në shtëpi së bashku me kabinetin qeveritar”, tha Qalaj për AP.
Deputeti, nga PDK-ja, konsideron se kjo situatë në përgjithësi nuk ka pasur ndonjë ndryshim pozitiv.
“Nuk ka personel që bën inspektime të mjaftueshme, ju po e shihni që kemi vdekje në vende të punës shumë shpesh, kemi degradim të kushteve të punëtorëve që punojnë, nuk ka ndonjë trajtim sidomos të punëtorëve që punojnë në sektorin privat”, shtoi Qalaj.
Sipas të dhënave nga IP-ja, në vitin 2021 janë regjistruar 11 vdekje, në vitin 2022, 15 vdekje, ndërsa nga janari deri në qershor të këtij viti nuk ka pasur asnjë vdekje.
Ata theksuan se shumica prej vdekjeve kanë ndodhur si pasojë e kushteve te punës dhe fusha më e prekur është ndërtimtaria.
Ndryshe, Albanian Post, më 9 korrik, pati raportuar se si zgjidhje përfundimtare për strehimin iu premtua të moshuarve të vetmuar në Kosovë në fushatën zgjedhore të fundit nga LVV.
Kur tentonte të merrte pushtetin, Kurti, u zotua se do të ndërtonte pesë shtëpi për këtë kategori.
Ndonëse kanë kaluar 3 vjet që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.
Meqë numri i të moshuarve të vetmuar është në rritje, nga Kryqi i Kuq i Kosovës, potencuan se nevoja për të ndërtuar shtëpi të tjera është e domosdoshme.