Kosova

Ku janë 5 shtëpitë për të moshuarit që Kurti i premtoi në fushatë?


Arikv: Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Zgjidhje përfundimtare për strehimin iu premtua të moshuarve të vetmuar në Kosovë në fushatën zgjedhore të fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kur tentonte të merrte pushtetin, tash Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u zotua se do të ndërtonte pesë shtëpi për këtë kategori.

Ndonëse kanë kaluar 3 vjet që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.

Meqë numri i të moshuarve të vetmuar është në rritje, nga Kryqi i Kuq i Kosovës, potencuan se nevoja për të ndërtuar shtëpi të tjera është e domosdoshme.

Ata kanë identifikuar rreth 800 të moshuar të cilëve iu mungon përkujdesja.

“Për shkak të migrimit të familjeve të reja në vendet tjera për punë dhe jetë më të mirë si dhe ndryshimit të stilit te jetesës, numri i të moshuarve të vetmuar është duke u rritur”, ka deklaruar për Albanian Post Koordinatorja e Mirëqenies Sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, Antigona Sopjani.

Por, banimi është veç një segment fillestar i nevojës së të moshuarve.

“Kujdesi personal, ushqimi, higjiena, veshmbathja, shtroja dhe mbuloja, vizitat mjekësore, medikamente e të tjera”, janë nevoja të tjera ekzistenciale të të moshuarve ka potencuar Sopjani për AP.

Lidhur me ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, Albanian Post ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën e Kryeministrit, por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka konsideruar si dështim të Qeverisë mos ndërmarrjen e veprimeve konkrete lidhur me këtë premtim për moshën e tretë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

“Dështim – dështim total, duke marrë parasysh se mungesë të buxhetit nuk ka pasur, veç mungesë të vullnetit”, ka thënë Bajrami për AP.

Nëse për më shumë se tri vjet s’u vendos as një themel shtëpie, e kuptueshme që pak kush pret të realizohet premtimi i “ndërtimit të 5 objekteve” në më pak se një vit, sa ka mbetur deri në përfundim të mandatit të rregullt.

“Ajo që është fakt, është që në këtë mandat asnjë shtëpi për të moshuarit nuk mund të përfundojë. Tani për mashtrimin e radhës disa gur themele edhe mund të hidhen, por që të kemi ndryshim të gjendjes për këtë kategori nuk pres”, ka theksuar deputetja.

Për ish-ministren nga radhët e LDK-së, arsyet e mos-realizimit të këtyre premtimeve janë të shumta dhe lehtësisht të identifikueshme.

“Disa nga to janë korrupsioni, mungesë e theksuar e kompetencës dembelia”, pohon ajo duke shtuar se “motivet dhe arsyet e vërteta duhet t’i japin ata”.

“Duhet t’i jap z. Kurti, sepse ai i ka dhënë këto premtime dhe marrë votat bazuar në këto premtime”, ka thënë ajo.

Bajrami kujton këtu edhe premtimet e tjera, të shumta, që s’u përkthyen kurrë në projekte konkrete.

“Lirimin e çmimit të energjisë, premtimin që buka, vaji, sheqeri me qeverisjen e tyre do të kushtojë më lirë, sigurimet shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtimin e 160 çerdheve, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, POR krejt çka ka ndodhë këto tri vjet e gjysmë të mandatit të tyre është e kundërta, fiks e kundërta”, ka thënë ajo për AP.

“Shtëpitë për të moshuarit nuk janë ndërtuar, as çerdhet, çmimi i rrymës është dyfishuar, njëjtë si çmimet e artikujve ushqimor, deri më sot nuk është përfunduar asnjë projekt infrastrukturor, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qenë në gjysmë, ka ikje masive të fuqisë punëtore, është shkelë Kushtetuta plot 10 herë – për çfarë drejtësie mund të flasim këtu?”.

“Ndërsa arsimi po rrënohet, nuk ka integrime euroatlantike – që 13 muaj jemi në masa ndëshkuese të BE-së, asnjë njohje, asnjë anëtarësim, ka korrupsion dhe nepotizëm me bollëk”.

Edhe për Deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Bekim Haxhiun, është një mashtrim i ekzekutivit zotimi për këto pesë shtëpi kujdesi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

“Premtimet e Albinit janë si përrallat e Nastradinit! Edhe me këtë premtim ka mashtruar të moshuarit ashtu siç i ka mashtruar çiftet e reja për ndërtim të 4000 banesave, apo për ndërtim të çerdheve publike”, shtoi Haxhiu për AP.

Sipas Kryqit të Kuq, shtëpi të moshuarve që aktualisht menaxhohen nga shteti janë në Prishtinë, Istog, Skenderaj dhe Graçanicë.

Përveç tyre, ata njoftuan se janë edhe disa shtëpi private, por qe nuk kanë informata për numrin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore