Sport

Pesë futbollistët më të shtrenjtë në botë, dominon gjenerata e re


Futbolli është shndërruar në një sport ku shumë gjëra varen para se të kompletohet një transferim.

Së fundmi kemi parë shumë transferime të dështuara – për shumë arsye.

Insistimi i klubit shitës, kërkesat e mëdha të futbollistëve, problemet me testet mjekësore dhe shumë të tjera.

Mirëpo, arsyeja kryesore është inflacioni në çmimet me të cilat shiten futbollistët.

222 milionë është rekordi, kalimi i Neymar nga Barcelona në vitin 2017.

Ky transferim ka prishur edhe rendin në futboll, me dhjetëra transferime që tashmë kanë kaluar shifrën e 100 milionë eurove.

Dhe pikërisht pesë futbollistët më të shtrenjtë në botë, e arrijnë këtë vlerë.

Transfermarkt, faqja më e madhe statistikore në botë, ka vënë në radhë futbollistët me vlerën më të lartë në botë.

I pesti, vjen Romelu Lukaku.

Futbollisti i transferuar nga Inter te Chelsea këtë verë, ka një vlerë prej 100 milionë eurosh.

Kjo shifër është 30 milionë më e ulët se sa shifra që Blutë e Londrës paguan për të siguruar shërbimet e tij.

Në vendin e katërt është Jack Grealish.

Ylli anglez i transferuar te Manchester City nga Aston Villa gjatë verës, vlen 100 milionë.

Shifra është krejtësisht e njëjtë me atë që City shpenzoi gjatë merkatos që shkoi.

Në vendin e tretë vjen Harry Kane.

Kane vazhdoi qëndrimin te Tottenham-i, përkundër ofertave të shumta nga Manchester City.

Edhe pse gjelat kërkuan 150 milionë euro për shërbimet e tij, vlera aktuale që ka sulmuesi dhe kapiteni anglez është 120 milionë euro.

Koha vjen për gjeneratën e re.

Dy futbollistët më të shtrenjtë në botë janë Erling Braut Haaland dhe Kylian Mbappe.

Halaand ka një vlerë prej 150 milionë eurosh.

Mirëpo, përkundër saj, futbollisti norvegjez mund të largohet në verë nga Dortmund-i për shifrën e 70 milionë eurove, për shkak të klauzolës në kontratën e tij.

Mbappe në anën tjetër ka një vlerë prej 160 milionë eurosh.

Ylli i Francës konsiderohet si futbollisti më i shtrenjtë në botë, mirëpo kjo shifër nuk duket se do paguhet.

Real Madrid-i është në ndjekje të francezit për disa vite tani, dhe duket se atë do e marrin pa e shpenzuar asnjë cent.

Mbappe është në vitin e fundit të kontratës me parisienët, dhe rinovimi nuk duket aspak i mundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore