Libra

Përvjetori i 553-të i vdekjes së Skëndërbeut


Më datën 17 janar, populli shqiptar e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeun, në 553 vjetorin e vdekjes së tij. Ai ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Arbërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit mes katër djemve  dhe pesë vajzave. Në moshë të vogël Gjergj Kastrioti u mor peng nga Sulltan Murati i dytë  si ndëshkim për luftën që i shpalli babai tyre, Gjon Kastrioti.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi edhe zgjerimin osman drejt Evropës. Për këtë fitoi mirënjohjen e Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe pas vdekjes.

Vepra dhe figura e Skënderbeut ka përmasa dhe rëndësi evropiane. Këtë e dëshmon edhe fakti që për të është shkruar një literaturë e tërë.  Qindra vëllime, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.

Kryeministri, Edi Rama, ka përkujtuar përvjetorin e vdekjes së heroit duke publikuar një video nga Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, me të cilën ka përshëndetur qytetarët duke iu uruar atyre një ditë të mbarë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në përkujtim të 553-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, ka shpërndarë në mediat sociale një video ku shfaqen bustet e heroit legjendar në disa vende të botës si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Itali, Zvicër dhe SHBA./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore