Lajme

Përveç krerëve të shtetit, Varhelyi takohet edhe me opozitën e shoqërinë civile në Kosovë


Oliver Varhelyi, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi sot viziton Kosovën.

Ai do të takohet me krerët e shtetit.

Sipas njoftimit për medie të zyrës së presidencës, Osmani takon Varhelyin nga ora 12:00 në zyrën e saj. Pas takimit presidentja Osmani dhe komisioneri Varhelyi do të mbajnë një konferencë të përbashkët për medie.

Më pas ai do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufcën.

Varhelyi ishte paralajmëruar se do të vinte herët në mëngjes, por orari i fluturimit të tij ka ndryshuar.

Pas konferencës për media në presidencë, ai do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin me fillim nga ora 12:45, njofton zyra për medie e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përveç krerëve të shtetit, ai do të ketë nga një takim individual edhe me udhëheqës të partive opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kryesore, duke përfshirë në fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin për medie të zyrës së BE-së në Kosovë.

Komisioneri Várhelyi dhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lançojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizojë më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

“Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) e cila është në fuqi që nga 1 prilli 2016. Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Komisioni do të raportojë sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj evropiane në Paketa e zgjerimit 2023, e cila pritet të publikohet në vjeshtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore