Përballje

Përveç kombëtares A, sot zbresin në fushë edhe grupmoshat U21, U19 dhe U17 të Kosovës


Sot (e martë) do të jetë një ditë e rëndësishme për përfaqësueset e Kosovës në futboll.

Përveç kombëtares A të Kosovës, këtë të martë do të luajnë edhe grupmoshat e Dardanëve U21, U19 dhe U17.

Kosova U21 do të ballafaqohet në udhëtim te Republika Çeke, takim i vlefshëm për kualifikimet e Kampionatit Evropian për U21, që do të mbahet në vitin 2023.

Kjo do të jetë ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave në harkun e pesë ditëve, ku në përballjen e së enjtes, të zhvilluar në Prishtinë, fituan çekët me rezultat minimal 0:1.

Momentalisht Grupit G i prin Republika Çeke me nëntë pikë të fituara pas tri ndeshjeve, aq sa ka edhe Shqipëria, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar, kurse pas tyre vijnë Anglia me shtatë pikë, Sllovenia me katër e Kosova me tri, ndërsa Andorra e vendit të fundit nuk ka asnjë pikë.

Dardanët e rinj, deri më tani, kanë zhvilluar tri takime, prej të cilave kanë fituar me Andorrën dhe kanë humbur me Çekinë dhe Anglinë.

Kjo ndeshje do të luhet nga ora 18:00, në stadiumin “Strelecky Ostrov”.

Kualifikimin në Kampionatin Evropian do ta kërkojnë edhe djelmoshat e Kosovës U19, që do të përballen në udhëtim tek Uellsi, me fillim nga ora 15:00.

Megjithatë, 19-vjeçarët e Kosovës do ta kenë shumë të vështirë të gjejnë kualifikimin, pasi në dy ndeshjet e para kanë pësuar humbje kundër Norvegjisë dhe Gjeorgjisë.

Kurse gjysmë orë pas fillimit të këtij duel, Kosova U17 do të ballafaqohet me Ishujt Faroe U17, ndeshje e vlefshme për Evropianin e këtyre grupmoshave, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Izrael.

17-vjeçarët e Kosovës i nisën mjaft mirë këto kualifikime, duke shënuar fitore në udhëtim tek Austria, por në ndeshjen pasardhëse ishin të pafat, teksa u mundën nga Sllovenia.

Momentalisht Kosova U17 renditet në vendin e tretë të Grupit 9, me tri pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Austria, ndërsa këtij grupi i prinë Sllovenia me gjashtë pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore