Film

Përtej luftës – përtej jetës


Filmi rus, 'Shkoni dhe Shini'

Thuhet shpesh nga adhurues të filmit se është gjë e vështirë, në mos e pamundur, të bësh një film anti-luftë, ose me mesazh të efektshëm anti-luftë, pasi që njerëzit i duan këto filma, sepse edhe vetë natyra e luftës është eksituese.

Kjo gjë ndërron domethënje kur shohim filmit e regjisorit soviet-rus, Elem Klimov, “Shkoni dhe shihni” të vitit 1985.

Kopertina e filmit të Elem Klimov, “Shkoni dhe shihni” (1985)

Një film si asgjë tjetër i prodhuar në kinematografinë evropiane të filmave me luftë, Elem Kimov, e tregon fytyrën e vërtetë të luftës, në zhveshtësinë më të fëlliqur të saj, dhe raportin e njeriut me brutalitetin ç’njerëzor të cilën e gjeneron urrejta në lufta.

Fillimi i filmit është krejtësisht ambig. Një njeri bërtet, thërret e urdhëron dikë-diku që s’është, por i inatosur e i mllefosur, si në dhimbje e vuajtje. Por shihet pastaj se po u thërret fëmijëve të fshehur në shkurre. Ata po luajnë lojëra lufte. Po zhvarrosin trupa të rënë të ushtarëve nëpër plazh-betejë për t’u marrur armët.

Pastaj njoftohemi me Florya-n. 14 vjeçar mbase. Jeton me familjen.

Është viti 1943. Trupat e Hitlerit kanë vërshuar Bjellorusinë, dhe Florya i ri e plotë vullnet, mendon të vihet para atdheut të tij, e të rreshtohet krah ushtarëve partizanë.

Protagonisti i filmit, Florya, 14 vjeçar, i entuziazmuar se po rekrutohet nga partizanët.

Florya është flutur, por mendon se krahët i ka të mëdhenj sa vullnetin. Familja e tij s’do ta lë fluturën e tyre në gojë të dragonjve nazistë.

Florya i’a del të futet në njësinë ushtarake lokale, por ata janë të stër-rrënuar, kurse ai është i stër-rinuar nga gëzimi të shërbejë në luftë.

Ai është aq i ri, aq naiv, aq i partikulueshëm, i pafajshëm e i çiltër, por guximtar i madh dhe plot shpresë, sigurisht, shpresë e papërvojë, të cilën jo për shumë gjatë, do ta përjetojë në lëkurën e tij.

Filmi është një udhëtim i Florya-s, aq sa është edhe udhërrëfim i luftës. Ne shohim në film atë që ai ndonjëherë nuk e sheh, por s’e ndjejmë në plotëni atë tmerr të cilin vetëm ai e ndjen. Vuajtja e tij është singullare, dhe ne jemi spektator të asaj vuajtje.

I shurdhuar nga bombat që kanë rënë dhe në vrap që ti gjej familjarët e tij, ai nuk e dëgjon Glasha-n që i bërtet nga mbrapa se familjen i’a kanë vrarë nazistët. I shurdhër për nga veshët, por jo për nga piskamat e horrorit të luftës, ai i dëgjon frikën e tij në palcë.

Pas pushtimit nazist të Bjellorusisë (1943) në filmin “Shkoni dhe shihni” të Elem Klimov.

Mësimi i vetëm, mëson Florya, është të mësosh si të mos vdesësh. Sepse nuk ka mësim tjetër. Nuk mund të ketë gjë tjetër në këtë katastrofë botërore.

Një gjë që i’a siguron mbijetesën Florya-s është pafuqia e tij e qartë si drita e diellit, ku nazistët e hedhin sa andej e këndej si një lodër për tu pasuar e për t’u tallur. Dhe krejt ajo vuajtje i bëhet tatu në fytyrë, si një hartë vuajtjesh në rrudhat e ballit, rrudhat e ballit të një katërmbëdhjetë vjeçari.

Fytyra e Florya-s, është bërë fytyrë e shpërfytyruar.

Kur e kthen fillimit e filmit për të krahasuar me fundin, fytyra e Floryas, është e vërteta më e madhe e këtij filmi. E vërteta më e madhe e Luftës së Dytë Botërore. E vërteta e urrejtjes njerëzore. E vërteta e vuajtjes njerëzore.

Florya, i rrahur dhe torturuar nga nazistët, derisa digjen fshatrat e Bjellorusisë.

Brutaliteti i përshkruar në këtë film, nuk është propagandë as ruse as gjermane as britanike. Është e vërteta e riprodhuar përmes kamerës së Elem Klimov në filmit “Shkoni dhe shihni”.

Filmin “Shkoni dhe shihni” duhet ta shihni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore