Lajme

Persona të panjohur i vunë flakën makinës së diplomates italiane në Athinë


“Vepra e rëndë kriminale”.

Kështu e ka përshkruar Ministria italiane e Punëve të Jashtme, sulmin që shkatërroi makinën e këshilltares së parë të ambasadës italiane në Greqi, Susanna Schlein.

Incidenti i rëndë është regjistruar mbrëmjen e të enjtes, duke gdhirë e premtja.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja italiane “Corriere della Sera”.

Kujtojmë që, Susanna Schlein është motra e kandidates së mundshme për kryesinë e Partisë Demokratike, Elly Schlein.

Persona të panjohur gjatë natës i kanë vënë flakën një veture e cila pas një shpërthimi është shkatërruar plotësisht.

E zgjuar nga disa shpërthime radhazi, Schlein vuri re tentativën për t’i vënë flakën një makine të dytë afër së cilës u gjet një koktej Molotov me një fitil gjysmë të shteruar.

Policia po kryen hetimet e nevojshme shkencore dhe hetimore.

MPJ-ja italiane i shprehu sakaq afërsinë dhe solidaritetin maksimal Susanna Schlein-it dhe familjes së saj.

“I telefonova Susanna Schlein për të shprehur solidaritetin tim. Sot do të jem në Athinë për të takuar kryeministrin Mitsotakis. Do të vizitoj ambasadën italiane”, ka shkruar në Twitter kryediplomati italian Antonio Tajani.

Ky i fundit do të takojë gjithashtu homologun e tij grek Nikos Dendias pasditen e 2 dhjetorit rreth orës 17:00.

Ndërkohë policia greke po heton për zjarrvënien.

Sulmi dyshohet se ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit: makina ka qenë e parkuar pranë një pallati dhe është shkatërruar plotësisht pasi i është vënë flaka.

Autoritetet gjetën një koktej molotov me një fitil gjysmë të shteruar aty pranë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë 18 zjarrfikëse, ndërsa zjarri ishte gati të dëmtonte një makinë tjetër diplomatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore