Lajme

Përplasje mes VV-së e PDK-së për shpenzimet e fushatës


Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të premten ka shqyrtuar raportet e auditimit të raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitet 2018, 2019 dhe 2020.

Gjatë kësaj mbledhje është theksuar se subjektet politike nuk po i paraqesin donacionet dhe grantet. Kjo mbledhje u shoqërua edhe me debate, ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe PDK-së për shpenzimet e fushatës.

Auditori Ymer Shatri, tha se VV-ja është audituar në vitin 2019, mirëpo për shkak të disa gabimeve në data nuk kanë qenë në dijeni se në cilin raport me e vendos.

Ndërsa, theksoi se për këtë çështje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) ka qenë e njoftuar.

“VV-ja është audituar në vitin 2019, vec nuk kemi dit ku me e lidhë dhe në cilin raport me e dorëzuar sepse ka pasur disa gabime në data dhe në tituj, e kemi njoftuar ne KQZ-në. Koalicioni PAN nuk ka dorëzuar raport fare”, deklaroi Shatri.

Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka bërë më shumti progres.

“Partitë politike që kanë bërë progres është sidomos PDK-ja subjekti që ka bërë më së shumti korrigjime, e ka punuar shumë sidomos në mohimin e opinione, edhe me VV-në jemi të kënaqur, por me LDK-në jo shumë, AAK e vetmja parti është që ka siguruar kontabilist të certifikuar për pasqyrat financiare”.

Sipas tij ligji për zgjedhjet në Kosovë po vazhdon të shkelet.

“Problemi kryesor është që ju po e shkelni ligjin për zgjedhjet në Kosovë, në ligj thuhet se Auditori zgjidhet gjatë muajit janar për vitin përkatës, dhe auditori me shkuar në fushatë në Podujevë edhe me pa a ka shpenzime apo jo”.

Po ashtu, subjektet politike nuk janë transparente karshi donacioneve.

“Partitë e mëdha kanë prezantuar donacione të shumët, por që tashmë përkrahësit kanë rënë, por nuk po i publikojnë realisht grantet dhe donacionet”.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Zyrtar ndërlidhës i Kuvendit me Agjencitë e Pavarura, Fehmi Pireva tha se në raportin e 2019, Vetëvendosje ishte pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale në veri të Mitrovicë, mirëpo thotë se në raportin final nuk figuron.

“Pasqyrat financiare vjetor dhe raporti i auditorit për vitin 2018, kemi hasur mangësi, Balli Kombëtar nuk i ka pasqyrat financiare, Partia Krisitiane Shqiptare nuk i ka pasqyrat financiare. VV-ja pse është specikuar në vitin 2019 për pjesmarrje në zgjedhje nuk e kemi pjesë të dosjes në raportin final”.

Për këtë reagime pati edhe nga Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami.

Ish-ministrja Bajrami tha se raportet e opinioneve nuk janë aspak të mira për të gjitha subjektet politike, derisa shton se kjo po ndodhë për shkak se nuk ka pasur audritime të raporteve nga 2017-ta.

“VV-ja ka marr pjesë në zgjedhjet e 2019, në Mitrovicë të veriut, përderisa raporti financiar mungon, derisa përfaqësuesit e këtij subjekti thonë se e kanë dorëzuar”.

“Raportet e opinioneve nuk janë fare të mira për të gjitha subjektet politike, dhe këto gjetura janë për shkak se nuk ka pasur auditime nga 2017-ta”.

Deputeti i VV-së Eman Rrahmani, ka pyetur se përse LDK-ja nuk ka dorëzuar raport në KQZ për zgjedhjet në Podujevë.

“Te zgjedhjet në Podujevë nuk është dorëzuar raporti në KQZ nga LDK-ja, pse nuk është dorëzuar e çfarë masa janë marr dhe qysh nuk ka mundësi mos me raportuar asnjë shpenzim kur e dimë se çfarë fushate ka pasur atje, pse zoti Pireva nuk është treguar kjo çështje në raportin e juaj”, pyeti Rrahmani.

Në anën tjetër deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka shprehur shqetësimin se rekomandimet po përsëriten.

“Që nga viti 2017 s’kemi pasur auditime, nëse i shohim rekomandimet shumica prej tyre janë të përsëritura”.

Beqa është përplasur me deputetin e VV-së Eman Rrahmani, ku tha se nuk iu kanë bërë punë mjetet e shpenzuara në Ferizaj, pasi që Rrahmani ka ironizuar me PDK për shpenzimet në fushatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore