Kosova

“Përparim se jo mahi – Qeveria Kurti e ka varfëruar Kosovën”, reagimet e opozitës për rritjen e pagës për 6.8 euro


Foto: Albanian Post

Njoftimi i Qeverisë së Kosovës se nga muaji shtator, secili i punësuar duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pasi siç ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës më 23 gusht ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale, ka ngjallur reagime të partive opozitare në Kosovë.

Për ish-kryeministrin Avdullah Hoti, të gjitha politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, derisa ka shtuar se politikat e Qeverisë Kurti e kanë varfëruar Kosovën dhe kanë bërë që zhvillimi ekonomik të ngecë “në mungesë të investimeve të mëdha publike”.

“Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, shkroi Hoti në Facebook.

Zhvillimi ekonomik, në prizmin e tij, “ka ngecur në mungesë të investimeve të mëdha publike, si rrugët rajonale, termocentrali me gaz e hekurudhat”, derisa ka shtuar se “rreth 1 miliard euro nga totali i mjeteve të planifikuara në investime kapitale nuk janë shpenzuar”.

Megjithatë, për Hotin kjo është e kuptueshme, pasi Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët, në vlerësimin e tij, “e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët”.

“Qasja e tyre, e bazuar në agjenda politike lokale dhe e paakorduar me aleatët, e bllokoi agjendën euro-integruese të Kosovës, i bllokuan njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë dhe e ktheu Kosovën prapa”.

Bashkëpartiakja e Hotit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka përmendur rritjet që kanë ndodhur në këtë qeverisje.

“Rryma mbi 100%, tatimi në pronë rreth 100%, çmimet rreth 50%, pagat 1.5% (450 euro pagë), ka shkruar ajo.

Reagime pati edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra, theksoi se para 10 vjetesh ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte dyfishuar pagat e sektorit publik në Kosovë.

“Sot, Qeveria i paska rritur pagat për 6.8 euro – të cilat ua paska marrë mbrapa duke ua rritur edhe tatimin mbi pagë. Shumë mirë. Tamam reflektim i fuqisë, punës dhe vizionit të saj. Përparim se jo mahi”, shkroi Deliu-Kodra.

Ndërkaq koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se qeveria ka bërë një ndryshim simbolik të politikës fiskale, përmes ndryshimit të shkallëve të tatimit në të ardhura personale.

“Individët me të hyra të tatueshme prej 500 euro, tani do ti kenë në llogaritë e tyre 6.80 euro shtesë. Pra, në 4 vite qeverisje, kjo është reforma fiskale e kësaj qeverie dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës, 6.80 euro shtesë”, shkroi ai.

Ndryshe, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se nga muaji shtator secili i punësuar që e ka një shumë të caktuar të rrogës mujore/vjetore duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë. Ky vendim i ATK-së vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagë minimale.

Deri tani kushdo që kishte pasur pagë mbi 250 deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim.

“Tatimi në të ardhura personale vjetore, ngarkohet sipas shkallëve në vijim: Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind (0%)”.

“Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €) dhe për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €)”, ka sqaruar ATK-ja në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore