Përmbyllet procesi i gërmimeve në Kizhevak të Serbisë, gjenden mbi nëntë trupa

SHFLETO
Mërgesa Redenica
26.05.2021 11:10
Loading Icons...

Është përmbyllur procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, në Kizhevak të Serbisë.

Në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë.

“Numri minimal i trupave të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e parë të procesit të zhvarrimit”, thuhet në komunikatën për media nga zyra për komunikim publik e zyrës së kryeministrit.

Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga data 30 nëntor e vitit 2020 e deri më nëntë dhjetor të po të njëjtin vit si dhe në fazën e dytë nga pesë maji i 2021 deri më 26 maj 2021.

“Nga data pesë maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion”, vijon njoftimi.

Pjesë e gërmimeve ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it , Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

Gjatë këtyre javëve, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, “është vizituar edhe nga familjarët e personave të zhdukur dhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur”.

Në Kosovë që nga paslufta janë gjurmuar qindra lokacione në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999 rezultuan rreth gjashtë mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.