Libra

“Përmasa e katërt” e poetit Janis Ricos-it në vështrimin e lexuesit shqiptar


Nobelistë dhe shkrimtarë të njohur të vendeve të ndryshme të Evropës kanë qenë në fokusin e Shtëpisë Botuese Dituria, e cila përgjatë dy ditëve, të quajtura “Ditët e Evropës”, organizoi një sërë aktivitetesh për lexuesin shqiptar.

Më 10 dhe 11 maj, në Kalanë e Tiranës, shumë figura të njohura, të fushës së përkthimit, kritikë të letërsisë, botues, lexues të rinj u bënë bashkë në aktivitetin, qëllimi i të cilit ishte rikthimi i vëmendjes së të rinjve shqiptarë tek autorët më të mirë evropianë, si: Alda Merini, Peter Handke, Milan Kundera, Janis Ricos, Katarina Taikon etj.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Shtëpisë Botuese Dituria, Petrit Ymeri, u shpreh se “projekti i bashkëpunimit me Evropën ‘Udhëtim në kohë e vende me mjeshtra të letërsisë europiane’,  ka kohë që ka filluar, që në muajin tetor. Në këtë kuadër kemi organizuar edhe këto dy ditë, që i kemi quajtur ‘Ditët e Evropës”.

Letërsia greke dhe autori Janis Ricos

Në ditën e dytë të eventit, në fokus ishte letërsia greke dhe autori Janis Ricos.

“Përmasa e katërt”, një vepër shumë e rëndësishme e poetit të madh grek, vjen në shqipërimin mjeshtëror të përkthyesit Romeo Collaku.

“Mjeshtërisht e përkthyer nga përkthyesi Romeo Collaku”, kështu e vlerësoi në fjalën e saj Prof.Dr.Sofia Deliorgji, pedagoge e gjuhës greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Në vijim, ajo tha se “për sa i përket përkthimit të veprës lexova me vëmendje disa poezi në greqisht në gjuhën origjinale dhe konstatova që të gjitha ngjyrimet e tekstit origjinal janë thuajse të dhëna në mënyrë të saktë dhe besnike”.

Romeo, u shpreh ajo, ka ditur më së miri t’i sjellë në shqip këto poezi, të cilat tingëllojnë po aq bukur si nga ana stilistikore dhe ajo gjuhësore.

Sipas saj, ky është një element kyç në përcaktimin e saktësisë, cilësisë dhe besueshmërisë së përkthimit të një vepre.

Gjatë aktivitetit ajo ndau dhe një poezi të shkurtër për të pranishmit:

Ec të largohemi pak se këndejmi, të mos na arrijë zëri i gruas,
Ec të ndalemi më poshtë; – jo te varret e stërgjyshërve.
Flokët nuk dua t’i pres, këtu sipër këtyre shpesh shëtiti dora jote.
Ç’natë e bukur!’

Më pas, duke iu referuar nivelit të kuptueshmërisë së tekstit origjinal, Deliorgji tha se përkthyesi jo vetëm i ka lexuar poezitë me qëllimin përfundimtar për t’i përkthyer, por i ka lexuar si një lexues i vëmendshëm duke depërtuar në thellësinë poetike të autorit.

“Romeo ka perceptuar më së miri mesazhin poetik të Ricosit. Unë e përgëzoj Romeon për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe e falënderoj për kontributin e tij në përkthimin e letërsisë greke në shqip”, përfundoi ajo.

Poemat e përmbledhjes “Përmasa e katërt”

 

Janis Ricos i shkroi nga viti 1956 deri në vitin 1975, një hark kohor ky që përmendet si periudha më e begatë e krijimtarisë së tij. “Përmasa e katërt” është vepra më e rëndësishme e poetit të madh grek dhe një nga veprat kryesore të poezisë moderne greke.

Në fakt, jeta e vështirë e shkrimtarit luan një rol të rëndësishëm dhe ndikon në veprën e tij, duke u nisur nga fatkeqësitë familjare në moshë të re dhe në vazhdim bindjet e tij politike e kanë bërë të ndeshet dhe të durojë periudha persekutimi nga sistemi i atëhershëm politik.

Prandaj do të thoshim që natyra e poezive të tij herë shfaqet poetike, herë erotike dhe shpeshherë në të gjenden edhe personazhe mitologjike.

Vetë ai e ka konsideruar një përmbledhje të gjithë poezive të tij, duke prekur drejtpërdrejt në shpirt lexuesin grek, por tanimë edhe atë shqiptar.

Mënyra e veçantë e të shkruarit, në këtë vepër sjell në vëmendje dhe ka si pikësynim kohën historike, e cila e turbullon protagonistin dhe e detyron atë të luftojë me të shkuarën dhe të ardhmen.

E bëjnë atë të aftë të kuptojë shkaqet që e rrënojnë shpirtërisht, përtej kohës biologjike që vetvetiu sjell plakjen fizike të personazhit.

Andaj dhe për të pasqyruar dhe për të sjellë mesazhin e tij të qartë, autori ka zgjedhur me mjeshtëri protagonistët nga mitologjia grekë, personazhe nga lufta e Trojës, Agamemnoni Oresti, Kthimi i Ifigjenise, Krisotemida, Persefona, Ismena, Ajaksi, Filokteti, Helena, Fedra.

Ricos-i përshkruan me mjeshtëri historitë e tyre personale që ne të gjithë kemi lexuar për protagonistët e secilës vepër dhe i vendos ata të luftojnë me kohën.

Duket qartë tendenca e personazheve për të rikujtuar momente nga jeta e tyre, zgjon kujtesën e tyre duke i bërë ata të zhyten në mendime dhe melankoli, si edhe nga letargjia dhe pasiviteti. Ngjarjet në të gjitha poezitë zhvillohen në një mjedis te erret dhe te trishtuar.

Të gjitha poezitë, siç mund të dallojmë nga poema Oresti, karakterizohen monologë narrative, të shkruara me vargje të lira, me fjalor të thjeshtë, me muzikalitet të fortë.

Në monologët e tij, protagonisti ka nevojë për rrëfim dhe i drejtohet një personi memec, i cili është prezent në skenë gjatë gjithë kohës. Dëgjon gjithçka, por nuk reagon.

Rreth Janis Ricos-it

Janis Ricos (1909 – 1990), nuk është aspak i panjohur për lexuesin shqiptar. Ai numëron rreth 150 vëllime me poezi, 10 vëllime proze, drama etj, ndërsa kq qenë nëntë herë i nominuar për Çmimin Nobel.

Një pjesë e madhe e veprave të tij poetike janë sjellë në gjuhën shqipe gjatë një periudhe të rëndësishme kohore, gati pa ndërprerje, me pikënisje librin “Mëhallat e botës”, përkthyer nga Spiro Çomora, më 1961.

Ajo çka e bën të dashur poezinë e Ricosit për përkthyesit shqiptarë është fqinjësia me Greqinë, fryma e majtë e poezive, larmia e tematikave të tij, lirizmi mallëngjyes dhe bashkërenditja krahas poetëve më të njohur botërorë.

Ricosi është ndër poetët grekë më të përkthyer dhe bashkë më dy nobelistët grekë, Odhiseas Elitis dhe Jorgos Seferis, përbën poetin e tretë grek, i cili ishte në prag të Nobelit, por që për shkak të frymës së theksuar politike të poezisë së tij, mbetet “nobelisti i panominuar”.

Por, porsi poetët, Pablo Neruda (1953), Bertolt Brecht (1954), Luis Aragon (1957), Kostas Varnalis (1959) dhe piktori Pablo Pikaso (1962), Ricos-i, do të marrë në vitin 1977, “Çmimin Ndërkombëtar të Paqes Lenin”, i cili ishte çmimi më madhor i Bashkimit Sovietik dhe ekuivalenti i Nobelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore