Lajme

Përleshja në Kuvend, Hovenier: Përdorimi i dhunës s’është kurrë një mjet i pranueshëm


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas rrahjes në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kabinetit qeveritar që ndodhi të enjten në Kuvend.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, Hovenier tha se “për fat të keq të shoh se çfarë ndodhi sot në Kuvendin Kombëtar të Kosovës”.

“Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje”, shkroi ai në “Twitter.

Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta, pohon diplomati amerikan “por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”.

Si filloi përplasja në kuvend?

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.

“I kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021. Pesë ditë ish-Qeveria para se të bëhemi ne Qeveri është hekur fletëarresti ndaj këtij kriminelit Radojiçiç. Në Qeveritë e mëhershme ky kriminel ka qenë në Mitrovicë dhe në Prishtinë tash kontributi ynë është që është në hotelin Kopaunik në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”.

Si filloi përplasja – Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit, Besnik Bislimi goditi me shishe Lushatakun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore