Shqipëria

Përjashtohet 5 ditë nga Parlamenti Petrit Vasili, pasi quajti Ballën ‘skizofren’


Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, është përjashtuar me pesë ditë nga punimet e Parlamentit, pasi ka etiketuar kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si “skizofren”, gjatë diskutimeve për Portin e Durrësit në seancën plenare të 24 nëntorit.

Vendimi është marrë nga ana e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, pas shqyrtimit të kërkesës që Grupi Parlamentar i PS-së dorëzoi në strukturat e Kuvendit.

Shkak, ishte pikërisht sjellja “jo etike” e Vasilit, në kundërshti me procedurat e rregullores parlamentare.

“Në zbatim të nenit 63 pika Ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me tre vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për pesë ditë për deputetin, z. Petrit Vasili”, shkruhet në njoftim.

Kjo masë vjen pas dy të paraardhshmet javën e shkuar, kur ishin deputetët demokratë, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj, ata të cilët u përjashtuan për 10 ditë nga punimet, nën arsyetimin se ishin të dehur gjatë seancës plenare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore