Shqipëria

Përjashtimi nga Grupi i PD-së: Komisioni i Rithemelimit braktis seancën plenare


Pas përplasjeve në seancën e parë plenare për vitin 2022, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike kanë braktisur punimet e Kuvendit.

Deputeti Flamur Noka deklaroi para gazetarëve se “Komisioni i Rithemelimit është i vetmi që përfaqëson PD-në në çdo institucion”.

Gjatë seancës plenare u regjistruan një sërë debatesh në sallën e Kuvendit.

Ish-kryeministri dhe ish-lideri demokrat, Sali Berisha, nuk ishte pjesëmarrës në seancën e 17 janarit.

“PD është e gatshme në çdo moment për zgjedhje dhe për t’i fituar ato. Çdo institucion po informohet që PD-në me mandate të Kuvendit e përfaqëson vetëm Komisioni i Rithemelimit”, ravijëzoi fillimisht Noka.

Sipas tij, demokratët njohin vetëm institucionet e votuara me votë të lirë.

Përjashtimet 

Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit, vendosi të përjashtojë nga Partia Demokratike ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Shtatë anëtarët e tjerë të përjashtuar, janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Një seri emrash gjithashtu janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.

Ndër këta të fundit, bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, si: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.

Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve, është edhe ajo më drastike, pas protestës së thirrur nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.

Reagimet

“Nuk më përjashton dot njeri mua nga Partia Demokratike ai që futi kriminelë në seli dhe goditi me gaz lotsjellës”.

Menjëherë pas nisjes së seancës së parë plenare për vitin 2022 të Kuvendit të Shqipërisë, ka pasur një deklaratë nga deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili me tone të larta ka hedhur akuza mbi kryetarin e kësaj force politike, Lulzim Basha, lidhur me vendimin e këtij të fundit për përjashtim nga Grupi Parlamentar.

Ndërsa, deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili gjithashtu është një prej të përjashtuarve nga Lulzim Basha, ka dalë kundër vendimit të Grupit Parlamentar të PD-së, duke i kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që të shqyrtojnë dokumentet, pasi ato që i janë dërguar janë “nule”.

“Mos u ktheni në mbështetëse të ndryshimeve antikushtetues, antiligjore, që grupet parlamentare i quan pjesë e saj. Unë ju këshilloj që të verifikoni, të thërrisni, të shikoni dokumentet dhe pastaj t’i paraqisni Kuvendit gjëra që janë deformime të realitetit dhe të qëllimshme”.

Gjithashtu, edhe deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka kanë kundërshtuar vendimin për përjashtimin apo pezullimin e tyre nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Sipas Bylykbashit, deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi.

“Rregullorja dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë lloj kufizimi në lidhje me këtë. Nuk mund të bëhet kjo, përndryshe vendoset precedent i rrezikshëm”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore