Shëndet

Përhapja e vetë-dëmtimit digjital tek fëmijët dhe adoleshentët


Imagjinoni këtë skenar: Ju zbuloni një mesazh ose koment degradues për vajzën tuaj në llogarinë e saj në Instagram që thotë: “Ju jeni e neveritshme. Askush nuk dëshiron ta shohë fytyrën tënde të shëmtuar ”.

Papritmas, jeni të shqetësuar se dikush po e ngacmon fëmijën tuaj.

Por kur e pyet vajzën tënde në lidhje me këtë problem, ajo pranon se e krijoi një llogari të rreme dhe e postoi komentin vetë.

Shkencëtaret socialë tani po i kushtojnë kërkime të thella, asaj që ata e quajnë “vetë-ngacmim në internet” ose “vetë-dëmtim digjital”, në të cilin përdoruesit e mediave sociale krijojnë llogari false dhe po të njëjtat i përdorin për të postuar komente të kota për veten e tyre.

Pas gati një viti izolimi shoqëror, shumë adoleshentë janë të vetmuar, nervozë dhe të dëshpëruar, shkruan The Washingon Post, transmeton Albanian Post.

“Si rezultat, fëmijët mund të jenë më të prekshëm nga kjo sjellje potencialisht e dëmshme” thotë Ryan Meldrum, një studiues dixhital i vetë-dëmtimit dhe profesor i asociuar i kriminologjisë në Universitetin Ndërkombëtar në Florida.

Në kërkimin e tij të fundit, Meldrum dhe kolegët e tij analizuan të dhënat e vitit 2019 nga 10,000 studentë të shkollës fillore dhe të mesme në Florida.

“Ne zbuluam se 10% e fëmijëve kishin ngacmuar veten gjatë vitit të kaluar dhe 6% prej tyre e kishin bërë atë vetëm në muajin e kaluar,” thotë ai.

Ndonjëherë, vetë-dëmtimi digjital është një përpjekje për lavdërim dhe vëmendje. Për shembull, një video e TikTok e postuar në shtator tregoi një djalë të ri ulur në tryezën e tij dhe duke hapur laptopin e tij.

Titulli lexonte: “Unë në klasën e 8-të ngacmoj kibernetikisht veten time në Ask.fm, duke i bërë vetës sime pyetje rreth personit që unë e simpatizoj, në mënyrë që ajo ta dijë se unë e pëlqej shumë atë”.

Videoja mori 1,658 komente dhe gati 136,000 pëlqime. Shumë komentues u përgjigjën me një “emoji të qeshur”, por të tjerët bënë komente si: “Zot, unë mendova se isha i vetmi”, dhe “Unë do t’u dërgoja njerëzve të tjerë mesazhe duke ngacmuar veten për të parë nëse ata do të më mbronin mua.”

Por shpesh ka diçka më serioze pas sjelljes.

“Shpesh, është një përpjekje për të përballuar shqetësimin psikologjik”, thotë Meldrum.

Përvojat si humbja e një shoku, mos përshtatja ose mos arritja e një qëllimi mund të shkaktojnë ndjenja të pashpresës, zhgënjimit dhe zemërimit, pastaj vetë-dëmtimi digjital mund të jetë një mënyrë për të adresuar këtë dhimbje.

Meldrum shton se fëmijët që janë ngacmuar gjithashtu kanë më shumë gjasa të ngacmojnë edhe vetën e tyre në internet.

Përveç kësaj, të rinjtë e margjinalizuar dhe të rinjtë e komunitetit LGBTIQ janë në rrezik më të madh, thotë Jack Turban, i cili punon në psikiatrinë e adoleshentëve dhe fëmijëve në Universitetin e Stanfordit.

Adam Moss, një psikolog për fëmijë dhe adoleshentë në Berkeley, Calif, mësoi për vetë-ngacmimin në internet nga një prej klientëve të tij.

“Pasi u ngacmua, klienti im krijoi një profil anonim në internet dhe postoi komente të gabuara në lidhje me orientimin e saj seksual dhe pamjen fizike”, thotë ai.

Megjithëse ajo i urrente kritikat e bashkëmoshatarëve të saj, ajo i kishte marrë në zemër mesazhet e tyre homofobike dhe të urryera, thotë Moss.

Tutje, Meldrum thotë se studiuesit ende nuk e dinë se si kjo sjellje ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve në planin afatgjatë, por ata janë të shqetësuar për lidhje të mundshme me shqetësime të shëndetit mendor të tilla si ankthi dhe depresioni.

“Tani jemi duke studiuar nëse ka një lidhje midis vetë-ngacmimit në internet dhe ideve vetëvrasëse apo përpjekjeve për vetëvrasje,” shton ai.


Si të identifikoni vetë-dëmtimin digjital

Të kesh akses në të gjitha llogaritë e adoleshentit tënd dhe t’i monitorosh ato rregullisht mund të të ndihmojë të identifikosh raste të vetë-dëmtimit, por këto taktika mund të japin edhe efekt të kundërt.

“Fëmijët mund të mirëmbajnë llogari të mediave sociale vetë dhe t’i fshehin lehtësisht nga prindërit,” shpjegon Meldrum.

Studiuesit kanë zbuluar se komunikimi i hapur dhe i sinqertë funksionon më së miri.

Meldrum rekomandon të pyesni: “Për çfarë flisni me të tjerët kur jeni në internet?” Nëse adoleshenti juaj i shmanget pyetjes ose duket i fshehtë në lidhje me sjelljen e tij, kjo mund të jetë shkak për shqetësim, thotë ai.

Dhe mos harroni se miqtë ose vëllezërit e motrat mund të zbulojnë vetë-dëmtim digjital (ose ngacmim tradicional në internet) para se ta bëjnë prindërit.

Psikoterapistja, Rachel Kazez këshillon që tema e “Rreziqeve që mund të shfaqen në internet” duhet të jetë patjetër pjesë e bisedave të prindërve me fëmijët e tyre.

“Lërini fëmijët të dinë se çfarë është vetë-dëmtimi digjital” thotë ajo.

Pyesni se çfarë do të bënin nëse shoku ose motra apo vëllai i tyre postojnë gjëra negative për veten e tyre në rrjetet sociale.

“Një qasje e hapur, jo zyrtare i bën fëmijët të ndjehen më rehat duke kërkuar ndihmë nëse hasin telashe në internet” thotë Turban.

 

Si të ndërhyni

Vetë dëmtimi digjital mund të jetë për shkak të depresionit, ngacmimit në internet, ankthit ose thjesht një dëshire për vëmendje.

Turban shton se  – Adoleshentët që po keqtrajtohen mund të ndikohen nga gjërat negative që dëgjojnë për veten e tyre dhe të fillojnë t’i besojnë ata.

Postimi i mesazheve negative mund të jetë një shenjë e kësaj urrejtjeje ndaj vetvetes. Fëmijët gjithashtu mund të argëtohen me veten e tyre ndërsa “provojnë” miqësitë e tyre dhe për të parë “çfarë mendojnë vërtet miqtë e tyre për ta” thotë Turban.

Vetë-dëmtimi dixhital mund t’i bëjë adoleshentët të ndihen të turpëruar dhe në siklet.

Kazez rekomandon që tema në mes prindërit dhe fëmijës të fillojë në një mënyrë kurioze, të kujdesshme dhe të respektueshme. – “Kam lexuar që disa fëmijë e bëjnë këtë për t’i ndihmuar të ndihen më pak të vetmuar. Çfarë mendon ti për këtë?”


Mënyrat për t’i ndihmuar

Pasi prindërit të identifikojnë se çfarë qëndron pas sjelljes së fëmijës së tyre, ata mund të vendosin se çfarë veprimi duhet të marrin.

Fëmijët në kërkim të vëmendjes mund të kenë nevojë për ndihmë në krijimin e mënyrave të tjera për të përmbushur nevojat e tyre dhe të ndjehen mirë me veten e tyre, thotë Kazez.

Mes pandemisë, këta adoleshentë mund të përfitojnë nga mbledhjet e distancuara shoqërore me miqtë.

Nëse sjellja e fëmijës suaj vjen nga vetëvlerësimi i ulët, dhe ata ndjehen të pambështetur, këshillimi mund të jetë i dobishëm.

Për të gjetur një terapist, Turban rekomandon që të kontaktoni një këshilltar shkollor ose pediatrin e fëmijës tuaj për burime të shëndetit mendor.

“Pandemia ka ndryshuar jetën e adoleshentëve në mënyra dramatike, por mbështetja mund t’i bëjë gjërat më mirë” përfundon ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore