Lajme

Përfundon takimi në Ohër… Përfundimisht


Pas 10 orësh diskutime ka përfunduar takimi në Ohër të Maqedonisë Veriore në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe dyshes evropiane Josep Borell dhe Miroslav Lajçak.

Albanian Post paraprakisht ka raportuar se kishte dy raunde të bisedimeve, meqë ka pasur një ngërç në dialog, pasi Serbia po refuzon nënshkrimin e dokumentit, kurse Kosova dëshiron nënshkrim në letër.

Megjithatë, informacione zyrtare për takimin pritet të jap Borrell para gazetarëve në një konferencë për media që pritet të filloj pas pak.

Linku për të ndjekur konferencën.

Takimet shumëorëshe në formate të tilla nuk janë të pazakonshme, përafërsisht kaq orë ka zgjatur edhe ai i fundit në Bruksel, e edhe më shumë (mbi 10 orë) pati zgjatur takimi i vitit 2015 mes atëherë kryeministrit Isa Mustafa dhe Vuçiç-it që mbante pozitën e kryeministrit të Serbisë.

Para takimit Kurti-Vuçiç, ishte deklaruar edhe emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Esocbar, i cili mori pjesë në takimet e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit.

Pritja e ShBA-ve nga takimi i ishte finalizimi i planit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Ndryshe, Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.

Megjithatë ai ka bërë të ditur se nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, prandaj do të ketë bisedime për këtë çështje.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje”.

“Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore