Biznes

Përfundon me sukses edicioni i parë i Konkursit të Ideve të Biznesit nga B4Students


10 studentët finalistë të përzgjedhur kanë prezantuar projektet e tyre të biznesit përpara jurisë në kuadër të Konkursit të Ideve të Biznesit, organizuar nga programi B4Students.

Juria e konkursit përzgjodhi dy ide biznesi që do të financohen nga Grupi BALFIN dhe pritet të vihen në jetë nga studentët.

Era smia Varfi, studente e Canadian Institute of Technology, prezantoi dhe fitoi mbështetjen financiare me projektin e saj “Eden Camping”. Nëpërmjet këtij projekti ajo synon që të krijojë një hapësire të veçantë kampimi në qytetin e Himarës, pranë portit të qytetit bregdetar.

Gjatë verës, ajo synon që të arrijë të tërheqë të rinj, dhe jo vetëm, që të pushojnë në kampimin e saj por edhe të nxisë punësimin e studentëve. Në këtë kamping ajo synon që të punësojë studentë të tjerë që do ta ndihmojnë atë në mbarëvajtjen e kësaj sipërmarrje që synon të bëjë për vetë turistë vendas dhe të huaj që e duan natyrën e qytetit të saj.

Kejli Doda, studente e Tirana Business University College, dhe Ilda Haxhiu, studente e Universitetit të Mjekësise, dhe  janë vlerësuar gjithashtu për idenë e tyre të biznesit.

Projekti i tyre “Obento”, synon t’u ofrojë atyre që e duan jetën e shëndetshme po aq sa edhe natyrën, produkte për mbajtjen e ushqimeve të bëra nga materiale miqësore karshi mjedisit.

Çantat, gotat, termusët, etj. do të përbëjnë një set të plotë për transportimin e ushqimit në kushte optimale por njëkohësisht duke ruajtur mjedisin. Të gjitha këto produkte janë me materiale të ricikluara ose të riciklueshme që nuk krijojnë impakt negativ në natyrë.

Vajzat kërkojnë gjithashtu të rrisin ndërgjegjësimin për një kujdes më të madh karshi ushqimit cilësor dhe sidomos kujdesit për mbrojtjen e mjedisit.

Këto dy projektet fituese kanë përfituar respektivisht grante në 5,000 Euro dhe 3,000 Euro si fonde për të nisur sipërmarrjet e tyre. Në vijim për këta studentë do të ofrohet edhe mundësia që ekspertë të Grupit BALFIN t’i këshillojnë gjatë implementimit të planit të tyre të biznesit.

Të gjithë studentët pjesëmarrës në këtë konkurs u përshëndetën edhe nga CEO e Grupit BALFIN, Edlira Muka, e cila gjithashtu u dorëzoi certifikatat e pjesëmarrjes.

Juria e cila vlerësoi projektet, ishte e përbërë nga Matilda Shehu, Drejtore e Operacioneve të Biznesit në BALFIN Group, Agim Fjolla, Drejtor i Komunikimeve në BALFIN Group, dhe Elvira Kapoli, Drejtore e Financave në Tirana Bank.

Ky është edicioni i parë i Konkursit të Ideve të Biznesit për studentët në Shqipëri, organizuar nga B4Students.

Vitin e ardhshëm, ky konkurs do të organizohet edhe në Kosovë, duke përmbushur objektivat e shtrirjes rajonale dhe duke synuar rritjen e mundësive, adresimin e sfidave të karrierës dhe përmirësimin e kushteve sociale-ekonomike të studentëve edhe më gjerë në rajon.

Me Konkursin e Ideve te Biznesit, programi B4Students synon të kontribuojë në ndërtimin e bizneseve të reja nga studentët, duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike.

B4Students është një program i mbështetur nga Grupi BALFIN, prezantuar për publikun në muajin maj të këtij viti.

Programi është i ndërtuar në 4 komponentë kryesorë, ai i Sipërmarrjes me Konkursin e Ideve të Biznesit dhe Konkursin e Sfidës së Biznesit; Klubet Sociale, Praktikat Profesionale dhe Punësimin, si dhe Investime Infrastrukturore në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik në Shqipëri.

 

Ky artikull është i sponsorizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore