Shqipëria

Përfaqësues të ERE-s takohen me Komunitetin e Energjisë për “ALPEX-in”


Përfaqësues të Entit Rregullator të Energjisë Shqiptare (ERE) vizituan gjatë javës ambientet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për një shkëmbim.

Të dy institucionet kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit të suksesshëm në reformat e tregut të energjisë në Shqipëri. Ekipi i ERE-s drejtohej nga kryetari i saj Petrit Ahmeti.

Takimi u fokusua në zhvillimet e mëtejshme të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri pas nisjes së tregut të ditës përpara të operuar nga ALPEX në 11 prill.

Këto zhvillime përfshijnë transpozimin dhe zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë elektrike të miratuar në Komunitetin e Energjisë në dhjetor 2022, përcaktimin e Operatorit të Nominuar të Tregut të Energjisë (NEMO), projektet e bashkimit të tregut, duke përfshirë hapat dhe sfidat e ardhshme për t’iu bashkuar BE-së dhe roli monitorues i ERE-s.

Zëvendësdrejtori Dirk Buschle deklaroi se Shqipëria ka marrë sërish një rol udhëheqës në zhvillimin e tregut të energjisë elektrike kohët e fundit.

Sipas tij, sfida tani do të jetë sigurimi që ALPEX të bëhet një vend tregtimi likuid, i përdorur nga lojtarët publikë dhe privatë.

“Roli i ERE-s në këtë dhe integrimi i Shqipërisë në tregjet evropiane të energjisë ka qenë dhe do të jetë vendimtar. Duke marrë përsipër përgjegjësinë për lëshimin e garancive të origjinës për energjinë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme sipas sistemit rajonal të krijuar nga Sekretariati, ERE do të sigurohet gjithashtu që pasurisë së energjisë së gjelbër të Shqipërisë t’i jepet një vlerë e duhur për hir të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane”, shtoi ai.

Kujtojmë që Komuniteti i Energjisë ka nëntë Palë Kontraktuese – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Ukraina.

Bashkimi Evropian është Palë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

E përfaqësuar nga Komisioni Evropian, ajo shërben si zëvendës-president i përhershëm i organizatës.

Të martën e 12 prillit Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) nisi tregtimin e saj.

Sipas Bordit, fillimi i tregtimit shënon përmbushjen e një prej objektivave kryesore të Shqipërisë.

Kjo, në kuadër të zbatimit të detyrave në traktatin e energjisë së vendeve të Evropës Juglindore, për të cilat aktorë si MIE, ERE dhe OST kanë qenë të angazhuar.

Operimi i Bursës do të krijojë kushtet për një treg transparent dhe likuid, si dhe do të krijojë mundësinë për zgjerimin me bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike me Kosovën, si një fazë e parë, me rajonin dhe më tej, me tregjet e BE-së, në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të përbashkët Evropian.

Vetëm katër ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin ku përcaktohen procedurat e zbatimit dhe fillimit të aplikimit të regjimit të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.

Sipas këtij vendimi, tregtimi i energjisë elektrike në Bursën e Energjisë do të kryhet në përputhje me modelin e tregut të energjisë elektrike dhe rregullat e tregtimit.

Bursa, në rolin e saj si kundërpalë qendrore, vendoset ndërmjet transaksioneve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, i cili është edhe aksioneri kryesor në bursë, është anëtari i parë zyrtar i ALPEX.

Ndërsa pas tij janë regjistruar zyrtarisht gjatë kësaj jave dy shoqëritë, pjesë e grupit të OSHEE, Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal.

Që para katër vitesh, mazhoranca pati premtuar se bursa – e cila krijon një standard të ri në tregun e energjisë duke sjellë furnizim më të mirë me energji elektrike dhe shërbim më cilësor – do të ishte në prioritetet e programit qeverisës.

Finalizimi i projektit ka qenë i vështirë pasi shpesh ka hasur në zvarritje.

Shqipëria dhe Kosova kompletuan në muajin dhjetor të vitit të kaluar kuadrin rregullator për Bursën Shqiptare të Energjisë Energjetike, por tregu u planifikua të niste në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Tregtimi në bursën e energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut është në rrugën e duhur për një fillim në prill ose maj.

Bursa e Malit të Zi të Energjisë – MEPX ishte menduar të niste deri në fund të vitit 2022.

Megjithatë, operatori i saj BELEN tha se zgjodhi prillin, kur balanca midis ofertës dhe kërkesës pritet të jetë më e favorshme.

Nisja e tregtimit në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) ishte planifikuar për në datën 23 nëntor, por edhe ajo u shty.

Ndërkohë, të dy firmat filluan testimin e sistemit dhe trajnimin e pjesëmarrësve të ardhshëm të tregut.

Vetëm Serbia ka një shkëmbim operativ të energjisë në Ballkanin Perëndimor – SEEPEX, i cili tani po bashkohet me BSP SouthPool nga Sllovenia për të formuar Bursën e Energjisë së Danubit Alpine-Adriatik ose ADEX.

Plani për një treg spot në Bosnjë dhe Hercegovinë është ende në fazën e diskutimit.

Sipas kalendarit, tregu i ashtuquajtur “day-ahead” (me çmime të detyrueshme financiarisht të ditës për të nesërmen) në Shqipëri do të krijohej në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Kjo, pasi Autoriteti Rregullator i Energjisë në vend (ERE) dhe Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) e Kosovës miratuan rregullat dhe procedurat e tregtimit.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se marrëveshja është një hap i madh drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë për Ballkanin Perëndimor.

Nisja e ALPEX-it do të kontribuojë në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të krijuar një treg pan-evropian të energjisë elektrike, tha organi rregullator në një njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore