Shqipëria

Përballja Blinken-Berisha në hapat final


Pa përfunduar ende punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike (PD), ish-lideri historik i PD-së, Sali Berisha deklaroi për mediat se “procedurat gjyqësore për padinë ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken janë drejt përfundimit dhe jemi në hapat final para dorëzimit tek gjykatësi”.

“Beteja ime ligjore po ecën, natyrisht ju e kuptoni që procedurat gjyqësore nuk janë procedura emergjence dhe unë kam besim të madh tek avokati im. Aftësitë e tij janë të konfirmuara tashmë. Mbarë Evropa ia njeh aftësitë dhe mund t’iu them këtu se janë hapat final para dorëzimit tek ‘gjykatësi’. Pastaj ai ka fjalën e tij”, theksoi Berisha.

Berisha dhe familjarët e tij të afërt e kanë të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ai u shpall persona non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ai shtoi se qëndron besimplotë dhe i vendosur tek drejtësia për hir të transparencës, për t’i dhënë mundësi cilitdo në botë, atij që ka shkruar ato fjalë, sekretarit amerikan apo kujtdo tjetër që të paraqesi, qoftë edhe një provë të vetme për të faktuar ato që janë shkruar.

Berisha vijoi me akuzat duke ravijëzuar se e gjitha kjo po ndodh nën mashtrimet e multi-miliarderit George Soros, me të cilin ai është përballur që nga viti 1992.

“Jo gjykata, po sikur Blinken apo secili zyrtar i këtij planeti paraqet qoftë edhe një fakt të vetëm për të faktuar atë që është shkruar, Sali Berisha është njeriu i vendimeve më të qarta dhe më të drejta”, nënvizoi Berisha lidhur me pyetjen e largimit nga politika.

Sipas tij, nuk ka njeri në botë që të mund të paraqesë një provë të vetme.

Reagimi i parë

Ky ishte reagimi i parë i Berishës pas dy muajsh lidhur me padinë ndaj sekretarit Blinken. Avokati i zgjedhur nga Berisha është, Jean Yves Le Borgne.

Padia e Berishës është ngritur në mënyrë direkte kundër Blinken-it për shpifje publike, në një shtet neutral, si Franca, në Gjykatën Korrektuese të Parisit.

Ai theksonte asokohe që “në mënyrë kategorike kjo padi nuk ishte një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqente të njëjtat ndjenja, por ndaj një njeriu që pa rreshtuar as prova, fakte apo argumenta, ngriti akuza që nuk i kishte ngritur askush kurrë ndaj tij, as kundërshtarët më të egër”.

Tweet-i

Një tweet nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të përmblidhte një vendim Amerikan e cila fillonte si një deklaratë personale, por ishte dukshëm një deklaratë me rëndësi departamenti.

“Sot, unë jam duke shpallur caktimin publik non-grata të Sali Berishës, një ish-president i Shqipërisë, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”.

Sipas vendimit, më në detaje, Berisha ishte përfshirë në akte korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Kjo do të përfshinte përdorimin e fuqisë së tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, deklarata vazhdonte me familjarët e afërt kur cilësonte se “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë”.

Anëtarët e familjes së tij u përmendën gjithashtu si pjesë e të njëjtave kufizime.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.

Me këtë deklaratë, në vetëm disa rreshta, SHBA-të goditën një nga ‘simbolet’ e tranzicionit shqiptar.

Po hetimet në Shqipëri?

Eksperti për çështjet ligjore shpjegon hapat ligjor mbi procedurën që mund të ndjekë SPAK-u.

Sipas tij, nëse DASH ka prova, SPAK-u mund t’ia kërkojë ato me anë të një letërporosie.

Në ligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, nenet 22 dhe 23 përcaktojnë saktë rregullat për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta.

Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta ka si detyrë të bashkëpunojë me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare si dhe të caktojë anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore.

Juristi i cili dëshiron të ruajë anonimatin shpjegon se, SPAK në zbatim të Nenit 509 të Kodit të Procedurës Penale mund të dërgojë letërporosi drejtuar autoriteteve të huaja për njoftimet dhe marrjen e provave.

Letërporositë, sipas tij, dërgohen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila merr masa për t’i nisur ato drejt autoriteteve të shteteve të huaja (zakonisht homologët e tyre të cilat ja kalojnë organeve përkatëse të specializuara të shtetit përkatës).

SHBA-të dhe Berisha

Disa analistë politikë shqiptarë argumentojnë se nuk ka asnjë kujtesë institucionale nga Washington-i nëse do të shohim historinë e Berishës dhe SHBA-ve.

Ai ishte udhëheqësi i parë shqiptar që bëri një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, më 15 korrik 1992, Presidenti Bush e priti atë me nderime të mëdha. Më 12 shtator 1995, përsëri në Washington duke takuar Presidentin Clinton. Më 10 korrik 2007, Presidenti Bush (Jr) vizitoi Shqipërinë ku Berisha e deklaroi si “mysafirin më të madh dhe më të dallueshëm në historinë shqiptare”.

Në vitin 2009, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) e mirëpriti Shqipërinë si një anëtare dhe Berisha deklaroi se pa ndihmën amerikane kjo nuk do të kishte ndodhur.

Në janar 2011, kur katër demonstrues të opozitës u vranë në bulevard, ambasadori amerikan në Tiranë e konsideronte Sali Berishën si një “burrë shteti”.

Disa argumentojnë se ky është fillimi i një qasjeje nga lart-poshtë për llogaridhënien në Shqipëri. Ndoshta ky është i pari “peshk i madh” që ngatërrohet në rrjetën e Reformës në Drejtësi.

Skena politike shqiptare

Departamenti i Shtetit të SHBA-ve ka bërë përpjekje për të ndarë individin “Berisha” nga Partia Demokratike. Një ndarje e domosdoshme, gjithashtu për t’i dhënë asaj një shans për t’u reformuar, për të hequr dorë nga rruga e Berishës.

Partia që ai krijoi është në një udhëkryq, ata nuk mund ta largojnë, pasi ndikimi i tij në strukturat e partisë është ende shumë i fortë. Nga ana tjetër, ata nuk mund të bëhen armiq të SHBA-ve, pasi ata janë krenarë për “lidhjet e ngushta me Washington-in”.

Për herë të parë, një ish-president dhe kryeministër ballkanas është në listën e zezë të Departamentit të Shtetit dhe me sa duket arsye të forta e kanë detyruar institucionin më të lartë të SHBA-ve që të marrin një vendim të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore