Lajme

Për të joshur blerësit kinezë të shtëpive tanimë po përdoren shufrat e arit


Shufrat e arit, makinat e reja dhe telefonat janë ndër stimujt që u ofrohen blerësve të mundshëm të shtëpive nga zhvilluesit kinezë të pronave.

E gjitha vjen teksa ata bëhen gjithnjë e më të dëshpëruar për të arritur objektiva të rritjes së shitjeve.

Huafa Tianfu, një zhvillues në qytetin lindor të Hangzhou, ka ofruar deri në një kilogram shufra ari për të tunduar njerëzit që të blejnë banesat.

Sasia e arit që ofrohet, referuar raportimeve të mediave, varion nga 700 gram për një banesë 89 metra katrorë, në pak më shumë se 1 kilogramë për një apartament 100 metra katrorë.

Çmimet e pronave në zhvillim variojnë nga 2.2 milionë juanë në 2.5 milionë juanë.

Një tjetër zhvillues në qytet ka nisur një promovim të ngjashëm, duke ofruar shërbime dekorimi falas, hapësira parkimi, deri në pesë telefona dhe një qëndrim 10-vjeçar me tarifat e menaxhimit për blerësit e mundshëm.

Masat vijnë teksa zhvilluesit luftojnë për të rindërtuar besimin në një treg që është goditur prej tre vjetësh tanimë.

Banka amerikane Goldman Sachs ka thënë se sektori i pronave të Kinës ka të ngjarë të përjetojë dobësi të vazhdueshme për vite, veçanërisht në qytetet më të vogla.

Pas shenjave të një rikuperimi të moderuar në fillim të vitit, sektori i pronave ka rënë.

Në një studim të 40 qyteteve nga China Index Holdings, një kompani e pavarur e pasurive të paluajtshme, shitjet e shtëpive të reja gjatë festës pesëditore të Ditës së Punës në maj ishin 22 për qind nën mesataren e tyre para pandemisë.

Në qytetet e nivelit të tretë dhe të katërt, shitjet u ulën me 42 për qind.

Një pjesë e arsyes që zhvilluesit e pronave po luftojnë për të zhvendosur stokun është se disa qytete, në një përpjekje për të stabilizuar tregun, i kanë ndaluar zhvilluesit të ulin çmimet.

Por investitorët nuk presin që nivele të tilla çmimesh të qëndrojnë në vend dhe parashikojnë se çmimet e pronave do të bien, sipas Dan Wang, kryeekonomist në Kinë për bankën Hang Seng.

“Thjesht nuk ka kërkesë të mjaftueshme për të mbajtur çmimet e larta”, ka shtuar Wang.

Të rinjtë, të përballur me një treg të zymtë të punës, kanë shtyrë blerjen e shtëpisë dhe momente të tjera të jetës – si martesa dhe fëmijët – që mund të kërkojnë largimin nga shtëpitë e prindërve të tyre.

Sakaq, një tjetër faktor i rëndësishëm që rëndon sektorin e pasurive të paluajtshme, i cili përbën 20-25 për qind të PBB-së, është spektri i tatimit mbi pronën.

Në prill, qeveria njoftoi se kishte përfunduar një sistem kombëtar regjistrimi për 790 milionë prona, duke e lejuar atë të kuptonte se kush i zotëron ato.

Sistemi i regjistrimit është hapi i parë drejt një takse të propozuar mbi pronën që do të siguronte para shumë të nevojshme për qeveritë lokale të Kinës me borxhe të mëdha.

Politika është pilotuar në pallate në Shangai dhe Chongqing, por pengesat teknike e kanë penguar të përhapet më gjerësisht.

Taksa e pronës është një “armë bërthamore ekuivalente në tregjet e banesave”, ka theksuar Wang, duke shtuar se mund të shkaktojë uljen e çmimeve të banesave me 50 për qind.

Në Kinë ka një ndërlikim të shtuar që do të ekspozonte numrin e shtëpive në pronësi të zyrtarëve qeveritarë.

Megjithatë, shumë analistë e shohin taksën si të pashmangshme, duke e bërë pronën një investim më pak tërheqës në afatin e afërt.

Çka nënkupton se edhe oferta e arit nuk është e mjaftueshme për të bindur shumicën e blerësve të mundshëm të shtëpive.

Madje, disa klientë janë ankuar se pasi blenë një banesë nga Huafa Tianfu, ari i tyre nuk arriti të materializohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore