Kosova

Për Selmanajn s’ka dilema: S’mundesh me qenë edhe me Amerikën dhe me përkrahë Albin Kurtin


Driton Selmanaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)

Për Driton Selmanajn, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), s’ka dilema, pasi që cdo gjë po bëhet e qartë: “Nuk mundesh me qenë edhe me Amerikën dhe me përkrahë Albin Kurtin”.

Kjo deklaratë e Selmanajt vjen pasi që ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha ,pas nënshkrimit të grantit 34 milionë eurosh, se përkushtimi i SHBA-ve ndaj popullit të Kosovës “nuk do të thotë që vlen edhe për Qeverinë”.

“Miku i mirë në ditë të vështira”, e filloi shkrimin e tij Selmanaj në Facebook, duke përdorur një fjalë të urtë popullore shqiptare, pas fjalëve të Hovenier-it dhe ndihmës amerikane për Kosovën.

“Edhe pse i zoti i shtëpisë ka ndërruar kahje dhe ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e përhershëm të Kosovës, SHBA edhe një herë na konfirmon se, ndryshe nga qeveria e Kosovës, Amerika nuk e braktis interesin e popullit të Kosovës”, potencoi deputeti i LDK-së.

Ndryshe, Hovenier, në një konferencë për media të mërkurën, ka përsëritur se SHBA-ja është sfiduar disa herë nga veprimet e kryeministrit Albin Kurti, që kanë ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.

Megjithatë, pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në vlerë prej 34.5 milionë dollarë, diplomati amerikan ka theksuar se përkrahja e ShBA-ve për popullin e Kosovës do të vazhdojë, sepse ajo nuk vjen si rezultat i politikave apo veprimeve të një qeverie të caktuar.

“Ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk zbatohet domosdoshmërisht rreth ndonjë qeverie të caktuar, apo të ndonjë zgjedhjeje apo veprimi të caktuar të politikës qeveritare”, ka deklaruar ambasadori Hovenier, derisa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv.

“Shumë prej jush i keni parë raportimet në media për dallimet e SHBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Jemi duke u përballur me disa sfida me qeverinë aktuale të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”, ka shtuar mes tjerash ai.

SHBA-të kanë pasur kritika të ashpra ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, gjatë mandatit të tij qeverisës, posaçërisht sa i përket veprimeve të ndërmarra në Veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Një nga çështjet e fundit për të cilën SHBA-të janë duke e kritikuar qeverinë Kurti është insistimi i ekzekutivit për hapjen e urës mbi lumin Ibër, derisa kanë vlerësuar se ky veprim mund të rrezikonte ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore