Aplikacione

Për rezultate kërkimi gjithëpërfshirëse, Google-i po përdor matës të ri për tonin e lëkurës


Kompania Google po bashkëpunon me një profesor të Harvard-it për të promovuar një shkallë të re për matjen e toneve të lëkurës.

E gjitha me shpresën për të rregulluar problemet e paragjykimeve dhe diversitetit në produktet e kompanisë.

Google-i po punon me Ellis Monk, një asistent profesor i sociologjisë në Harvard dhe krijues i shkallës së toneve të lëkurës, MST.

Shkalla MST është projektuar për të zëvendësuar shkallët e vjetruara të tonit të lëkurës që janë të prirura drejt lëkurës me ngjyrë më të hapur.

Kur këto nivele të vjetra përdoren nga kompanitë e teknologjisë për të kategorizuar ngjyrën e lëkurës, produktet e tyre performojnë më keq për njerëzit me ngjyrë lëkure më të errët.

“Nëse nuk kemi një masë të duhur të dallimeve në tonin e lëkurës, nuk mund ta integrojmë atë në produkte për t’u siguruar që ato janë më gjithëpërfshirëse”, ka treguar Monk.

Shkalla e projektuar prej tij është e qëllimshme “për të qenë shumë më përfaqësuese dhe përfshirëse e një game më të gjerë të toneve të ndryshme të lëkurës, veçanërisht për njerëzit me nuanca më të errëta të lëkurës”.

Qarkullojnë shembuj të tërë të produkteve të teknologjisë, veçanërisht ato që përdorin inteligjencën artificiale, që performojnë keq me tonet më të errëta të lëkurës.

Ato përfshijnë aplikacione të krijuara për të zbuluar kancerin e lëkurës, software për njohjen e fytyrës, madje edhe sistemet e përdorura nga makinat vetëdrejtuese.

Paçka se ka shumë mënyra se si ky lloj paragjykimi programohet në këto sisteme, një faktor është përdorimi i shkallëve të vjetruara të tonit të lëkurës gjatë mbledhjes së të dhënave.

Kështu që, krijimi i një shkalle të re të tonit të lëkurës është vetëm një hap i parë. Sfida e vërtetë është integrimi i kësaj pune në aplikacionet e botës reale.

Google-i, për të promovuar shkallën MST, ka krijuar një faqe interneti të re, skintone.google, dedikuar për të shpjeguar kërkimin dhe praktikat më të mira për përdorimin e saj në inteligjencën artificiale.

Kompania po punon edhe për të aplikuar shkallën MST në një numër produktesh të veta që përfshijnë filtrat e fotografive “Real Tone”, të cilët janë krijuar për të punuar më mirë me tonet më të errëta të lëkurës dhe rezultatet e kërkimit të imazhit.

Sipas Google-it, do të prezantohet po ashtu një veçori e re në kërkimin e imazheve që do t’i lejojë përdoruesit të rafinojnë kërkimet bazuar në tonet e lëkurës të klasifikuara nga shkalla MST.

Në të ardhmen, ajo planifikon të përdorë shkallën MST për të kontrolluar diversitetin e rezultateve.

“Një nga gjërat që po bëjmë është të marrim një grup rezultatesh, të kuptojmë se kur ato janë veçanërisht homogjene në disa grupe tonesh dhe të përmirësojmë diversitetin e rezultateve”, ka thënë kreu i produktit te Google-i, Tulsee Doshi.

Ai ka theksuar se këto përditësime janë në një fazë “shumë të hershme” të zhvillimit dhe nuk janë shpërndarë ende në shërbimet e kompanisë.

Nga ana tjetër, prezantimi i kësaj shkalle të re mund të jetë sfiduese edhe në sferën kulturore dhe politike, duke reflektuar vështirësi më të gjera në mënyrën se si integrohet teknologjia në shoqëri.

Marrë nga “The Verge”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore