Shqipëria

Për një kafe te sheshi, por këtë vit më shtrenjtë


“Fshati Festiv” i kryeqytetit të Shqipërisë u kthye në oazën e preferuar të qytetarëve gjatë festave të fundvitit.

Teksa i afroheshe Sheshit ‘Skënderbej’, stolisur me drita vezulluese, dëgjohej dëndënjaja e zhurmshme.

Dikush kishte zgjedhur të fiksonte një foto te bredhi më i lartë i qytetit, e dikush tjetër të shijonte një gotë verë të ngrohtë në dhjetorin e ftohtë.

Pavarësisht çmimeve të kripura – siç pohuan vetë qytetarët – kjo nuk i ndali ata ta shijonin kafenë te “Fshati i Festave”, dyfish më shumë se më parë.

20-vjeçarja, e cila studion për ekonomik, Emanuela Hila, për Albanian Post tha se bizneset nuk tregohen transparente me klientin.

“Ti ulesh aty, pret të të vijë më së paku një meny, por kur i pyet për çmimin e ushqimit apo pijet, të vetmen përgjigje që merr, është: po si te të gjitha lokalet kushton”.

Ndër të tjera, ajo thotë se zgjodhi të çohej nga tavolina, në formë “revolte”.

Sa u rrit qiraja këtë vit?

Andi, menaxheri i njërës prej shtëpizave të drunjta, për Albanian Post shpjegon disa nga arsyet që i “detyrojnë” bizneset të rrisin çmimet.

Si arsye kryesore, ai rendit vlerën e qirasë.

“Këtë vit, qiraja na u bë 10-12 mijë euro nga 3 mijë e 600 euro seç ishte në 2019. Nga kërkesa e madhe, u rrit dhe çmimi i qirasë”.

Për sa më sipër, AP-ja iu drejtua Bashkisë së Tiranës, institucionit përgjegjës për “Fshatin Festiv”.

Edhe pse insistuam për t’u informuar rreth qirasë, bashkia ende nuk ka kthyer një përgjigje.

Ndërsa eksperti i Ekonomisë, Pano Sako, për Albanian Post shpjegon se këtu jetësohet ligji kërkesë-ofertë.

“Rritja e qirave kam përshtypjen se vjen prej kërkesës së lartë për të pasur një post shitjeje te sheshi”.

Këtë herë, sipas menaxherit Andi, plot 400 biznese kanë aplikuar për të pasur tendën e tyre te sheshi.

Edhe pse “fatlumët” kanë qenë veç “41 prej tyre”.

Në vijim, menaxheri ravijëzon edhe një sërë arsyesh dytësore që ndikojnë te “fatura e kripur” për konsumatorin.

Përballë një krize energjetike, e cila ka mbërritur edhe në Shqipëri, çka është pohuar edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bizneseve u është kthyer në një sfidë për mbijetesë.

“Gjatë një dite nevojiten një deri në dy bombola gazi, për ngrohjen. Një bombol kushton 25 mijë lekë – bëjeni vetë llogaritë”.

Andi ka treguar se i është dashur që të sigurojë edhe forcën punëtore, që “këtë periudhë po largohen masivisht jashtë vendit”.

Ekonomisti Sako thekson se nuk ka një mekanizëm mbrojtës që ta mbrojë konsumatorin në periudha të izoluara.

“Ekzistojnë mekanizma që e mbrojnë konsumatorin nga rritja e përgjithshme e çmimeve, por është e pamundur të ndodhë në periudha dhe zona të izoluara”.

Sipas ekonomistit, rritja e çmimeve është kthyer në një fenomen të përvitshëm.

“Tregtarët e dinë që njerëzit janë të gatshëm të paguajnë diçka më shumë gjatë festave dhe spekulojnë me këtë fakt”.

“Nëse atyre nuk iu del llogaria, nuk kanë pse të aplikojnë”, sugjeron ai, “sepse po flasim për aktivitete jo-jetike”.

Por pavarësisht qirasë “shumë të lartë”, zgjedhja për të pasur një qoshe te Sheshi ‘Skënderbej’, për disa biznese nuk është problem.

Viktori, menaxher i një bar-restoranti tregon për Albanian Post, se si për periudhën nëntor-janar, është zhvendosur nga fshati turistik, Dhërmiu, te “Fshati Festiv” në Tiranë.

Për ekonomistin Sako, të tilla fenomene të izoluara në periudha të caktuara kohore janë praktikisht të pashmangshme.

Në përmbyllje, ai thotë se nevojitet “njëfarë përgjegjshmërie nga ana e tregtarëve, por duket se tradita është shumë e vështirë për t’u thyer”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore