Për “keqardhje” sulmet e Kurtit ndaj Kushtetueses, juristët: Kryeministri duhet të jetë promotor i vendimeve të saj

SHFLETO

Foto: Albanian Post

 

Valon Rashiti
22.03.2024 17:45
Loading Icons...

“Shqetësuese” dhe për “keqardhje” i kanë konsideruar njohësit e çështjeve juridike sulmet e ashpra që për dy ditë me radhë, fillimisht në një intervistë televizive dhe më pas në një konferencë për media, i bëri kryeministri Albin Kurti, ndaj Prokurorisë, por edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, meqë, sipas tyre, kreu i ekzekutivit duhet të jetë shembull për zbatimin e kushtetutshmërisë si dhe “promotori më i madh i vendimeve të saj”.

Në një paraqitje në televizionin publik të enjten, Kurti tha se ministrat e kabinetit të tij “janë të përndjekur nga prokurorët”.

Sipas avokatit, Ardian Bajraktari, sulmet e eksponentëve të pushtetit, në këtë rast kryeministrit, janë bërë pjesë e diskursit publik, dhe si të tilla, sipas tij, “janë shqetësues”.

“Sulmet dhe etiketimet e eksponentëve politik me theks të veçantë të partisë në pushtet, në adresë të institucioneve të drejtësisë për fat të keq tashmë janë bërë pjesë e diskursit të tyre, thuajse në çdo paraqitje publike, kjo është shqetësuese, sistemi ynë i drejtësisë është i pavarur, politika duhet të rezervohet nga sulme të tilla”, tha Bajraktari në një prononcim për Albanian Post.

Në vlerësimin e ish-sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, këto sulme “e minojnë besimin e publikut në drejtësi, edhe ashtu besimi nuk është në nivel të kënaqshëm”.

“Ndalja e këtyre sulme, besoj që do të jetë njëri nga kushtet që mekanizmat ndërkombëtar, me theks Këshilli i Evropës do t’i vendosin Kosovës, ngase në një vend demokratik, këto sulme dhe etiketime janë të paimagjinueshme”, shtoi.

“Të akuzohen prokurorët se pse po e kryejnë punën e tyre, për çka në fakt ata paguhen, me “arsyetimin” e përndjekjen së kujtdo qoftë, në prizmin e avokatit Bajraktari, “është për keqardhje”.

Ndërkaq, juristi tjetër Arbër Jashari, ka theksuar se kryeministri i një vendi duhet të jetë shembull për zbatimin e kushtetutshmërisë, meqë sipas tij, “kushtetuesja është duke kryer punën e vet”.

“Kryeministri i një vendi duhet të jetë shembull për zbatimin e kushtetutshmërisë si dhe promotori më i madh i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, potencoi Jashari për AP.

“Nëse Gjykata konstaton shkelje në ndonjë ligj, atëherë fajet i ka Kuvendi, e jo Gjykata, si kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë. Është obligim i organit legjislativ, që ligjet t’i harmonizojë me normat e kushtetuese”.

Albin Kurti

Cilat ishin akuzat e Kurtit për Kushtetuesen dhe prokurorët?

Në një tendencë për të arsyetuar keqpërdorimet e publikuara në media për mallrat që u blenë për Rezervën Shtetërore e nuk mbërritën kurrë në Kosovë, Kurti, ka mbrojtur ministren Rozeta Hajdari dhe ka kritikuar prokurorët duke thënë se “po i përndjekin ministrat e kabinetit të tij”.

“Prokurorët tash janë shumë ma aktiv prejse ne kemi ardhur ne pushtet. Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili ka shënuar mbi 100 milionë euro profit për KEK-un mbahet në burg mbi gjashtë muaj, e mandej në arrest shtëpiak. Të njëjtit prokuror një terrorist në Veri e lëshojnë në arrest shtëpiak, drejtësi është kjo?”, ka pyetur gazetaren e RTK-së që po e intervistonte të enjten.

“Ose ia mësynë Rozeta Hajdarit. E kam për detyrë që publikut t’ia tregoj të vërtetën. Ministrat tonë janë të përndjekur nga prokuroria më se gjitha qeveritë tjera”, shtoi ai.

Ai ka adresuar kritika edhe për të propozuarin për kryeprokuror të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufajn, emirin e të cilit ka refuzuar ta dekretojë presidentja Vjosa Osmani.

“Nuk është i rastësishëm edhe insistimi për kryeprokurorin, prandaj Kosova qe dy vjet nuk ka kryeprokuror. Sepse ata thonë që një emër i përveçëm ose asnjëri. 200 prokurorë i ka Kosova, 120 i plotësojnë kushtet, ata thonë vetëm Isufaj”, potencoi kreu i Qeverisë.

“Si bëhet që Kosova në indekset e organizatave ndërkombëtare për demokraci është kaq e madhe pëlqyshmëria në popull për krerët e shtetit, është sa dyfishi i sistemit të drejtësisë, kjo është pyetje edhe për partnerët tanë”.

Gjatë kësaj interviste, Kurti ka shtuar se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, “po heq të zitë e ollurit me ligjet të cilat po i aprovojmë në Kuvend, po na bllokohen në Gjykatën Kushtetuese”.

“Ligji për KPK-në dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk dëshirojnë të tregojnë sa pasuri kanë. Si është e mundur që paga të jetë katërshifrore e pasuria të jetë shtatëshifrore?”, ka vazhduar me pyetje ai.

Ndërkaq teksa ka folur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kryeministri ka ftuar atë të angazhohet në garën për zgjedhjet e ardhshme, meqë sipas tij, Kushtetuesja nuk do të duhej të pranonte të trajtojë ligjet që po dërgohen në këtë gjykatë nga opozita.

”Gjykata Kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Unë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do duhej ta trajtonte secilin ligj që tejkalon Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Në këtë kuptim, unë i ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata”.

Akuzat Kurti i ka vazhduar për Kushtetuesen edhe këtë të premte në një konference për media, teksa ka theksuar se Gjykata Kushtetuese “e ka bërë profesorin e ekonomisë”.

“Po i marrë vetëm dy raste që më dhembin fortë, Ligji për çmime tavan dhe Ligji i Pagave. Te Ligji për Çmimet tavan kemi pas lëshime në interpretime të Ekonomisë duke u thirrur në faktin që Kushtetuta e Kosovës thotë që ekonomia e vendit duhet të jetë e ekonomi e tregut me konkurrencë të lirë. Por, në çdo libër ekonomie serioze ka edhe shembuj të panumërt te kjo çështja e tregut të lirë në ekonomi është në parim dhe përgjatë një periudhën më afatgjatë”.

“Vendimet tona janë të detyrueshme për të gjithë”, Gjykata Kushtetuese për Albanian Post, rreth vendimit për ministren Nagavci