Lajme

Për Asociacionin enigmë është vetëm modeli, të tjerat dihen


Ilustrim

Në marrëveshjen e Brukselit, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e pasuar nga plani i zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, njëra nga pikat thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e dakorduara paraprakisht, përfshirë këtu Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Se do të themelohet Asociacioni tanimë është e qartë, këtë e ka pohuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – i cili kishte qenë nga kundërshtarët më të ashpër të këtij mekanizmi gjatë kohës sa ishte në opozitë – në marrëveshjet që ka nënshkruar, por edhe në deklarimet e tij publike.

Madje, tanimë është bërë e ditur edhe koha se kur do të përfundojë themelimi i këtij mekanizmi; “deri në fund të verës”.

Kështu të paktën ka thënë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për kohën e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit\Ohrit, e cila brenda saj e përmban edhe Asociacionin.

“Më vjen keq, nuk është pritshmëri, është një detyrim. Ne duam të shohim që procesi të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk shoh arsye pse nuk mund të përfundojë deri në fund të verës”, deklaroi Escobar të dielën, teksa përkujtoi se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme.

Ndërsa, një ditë para se ta thoshte këtë, top-diplomati amerikan bëri me dije që “jemi duke e pritur versionin e Kosovës për statutin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, e sipas tij “kjo duhet të bëhet tash”.

Se Kosova duhet ta propozojë një model për Asociacionin, Albanian Post ka publikuar të hënën një letër publike të shkruar nga një diplomat i lartë perëndimor, i vendosur thellë brenda procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë letër, sugjerohet nevoja për një debat të mirëfilltë të brendshëm në Kosovë rreth hapave që duhet të ndërmerren sa i përket themelimit të Asociacionit.

Ky diplomat sugjeron që procesi ka arritur në një pikë kritike. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka disa pritshmëri të caktuara në lidhje me këtë proces dhe ato tashmë janë çimentuar. Dhe, sipas tij, Qeveria e Kosovës e di fare mirë se cilat janë ato pritshmëri. Në këtë letër, në mënyrë telegrafike, listohen dhe shpjegohen këto pritshmëri.

Diplomati po ashtu tregon që, për momentin, miqtë e Kosovës janë duke e kërkuar një model që akomodon pritshmëritë ndërkombëtare, por që njëkohësisht qëndron tërësisht brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Sipas këtij diplomati, kjo gjë është e nënkuptuar edhe në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Megjithatë, ky diplomat tërheq vërejtjen që nëse Kosova nuk propozon një model të vetin, atëherë procesi mund të devijojë. Sipas tij, qëndrimi në vendnumëro mund të krijojë situatën ku bashkësia ndërkombëtare mund të detyrohet të kërkojë zgjidhje jashtë kushtetutës.

Në fund të letrës, ky diplomat e kritikon qasjen e qeverisë ndaj procesit dhe kërkon seriozitet dhe përkushtim. Ai po ashtu e tërheq vërejtjen që me pranimin e Marrëveshjes Bazë, edhe Qeveria Kurti tashmë është pjesë e obligimeve dhe subjekt i pritshmërive ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Sipas burimeve të Albanian Post, në rast se Qeveria e Kosovës nuk propozon një model të vetin për Asociacionin, duke qëndruar fuqishëm prapa tij, shumë shpejt Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell mund të çimentojnë një model tërësisht të pafavorshëm për Kosovën, të bazuar në modele që nuk mund të akomodohen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Letra ekskluzive e diplomatit ndërkombëtar: Nëse Kosova nuk e propozon vetë Statutin e Asociacionit, ndërmjetësit mund të kërkojnë zgjidhje jashtë Kushtetutës

Deri më tani janë prezantuar dy drafte-statute për Asociacioni, mirëpo asnjëri nuk ka qenë i pranueshëm që të jetësohet në mënyrën se si është hartuar.

Një është prezantuar nga Ekipi Menaxhues – i shkarkuar tanimë nga Qeveria e Kosovës –  që kryesohej nga deputetja e kuvendit të Serbisë, Danjela Vujiçiç, dhe një nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; të dyja këto të prezantuar në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel me 2 maj.

Për Asociacionin e prezantuar nga Vujiçiç, Kurti kishte thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe si i tillë nuk mund të pranohet. Ndërsa, modeli i tij – i bazuar në atë kroat, nuk po duket i mjaftueshëm nga pala serbe.

Çka është Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe në Kroaci, modeli që propozoi Kurti në Bruksel?

Duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë për temën e njëjtë, ndërmjetësi, në këtë rast BE-ja, propozon që të gjendet një mes këtu, apo siç njihet ndryshe në konceptet politike, një zgjidhje kompromisi, ku të dyja palët tërhiqen nga barrikadimi ku gjenden, dhe kjo të shërbejë në funksion të një zgjidhje përfundimtare.

Këtë e kishte thënë edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij që e kishte në Kosovë me 11 maj.

Një Asociacion që është në përputhje në Kushtetutën e Kosovës, është përkrahur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne e kemi bërë shumë të qartë se nuk pranojmë diçka që i ngjanë Republikës Serbe. Qëllimi është që serbët e Kosovës të mos varen nga Beogradi”, kishte thënë këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, ku raportoi ai dhe Escobar.

Derek Chollet

Njëjtë si Chollet, kishte thënë edhe Escobar.

“Asociacionin duhet ta kontrollojë Kosova, qëllimi jonë është që mos të bëhet si Republika Srpska. BE-ja ka ofruar disa modele evropiane”, potenconte Escobar në përgjigjeje të pyetjes së senatorëve amerikanë, të cilët ngrisnin shqetësimin rreth modelit të Asociacionit.

Gabriel Escobar

Cilat janë modelet që Bashkimi Evropian i ka propozuar për Asociacionin?

Bashkimi Evropian në propozimet për Asociacionet kishte sjellë një mori modelesh që janë të aplikuara – dhe që kanë rezultuar të suksesshme – nëpër vendet evropiane.

Në vendet evropiane ku janë të aplikuara këto modele, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin ndonjë problematikë për funksionimin e shteteve respektive, por ka mendime që nuk mund të bëhet një analogji e tillë me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në Ballkan autonomitë kuptohen si parashtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura. Kjo për shkak të kompleksitetit që e ka shoqëruar rajonin përgjatë historisë.

Albanian Post kishte publikuar ekskluzizvisht shembuj konkretë dhe modele evropiane në bazë të së cilave mund të hartohet statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku ideja qendrore është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës.

Për shkak të konteksteve të ndryshme, specifikave dalluese dhe rrethanave të tjera do të bëhet një kombinim modelesh, varësisht se si pajtohen palët negociuese. Ajo që kërkohet është një zgjidhje kushtetuese që krijon një institucion përfaqësues për minoritetin dhe i cakton atij disa kompetenca për çështje thelbësore.

Janë afër 15-të të tilla duke filluar nga Ishujt Aland dhe Asambleja apo Parlamenti i popullit Sami në Finlandë, pastaj komuniteti autonom i Baskëve në Spanjë, apo siç njihet Euskadi dhe Katalonia. Më pas Ishujt Faroe në Danimarkë dhe në Itali Tiroli Jugor, Trieste, Sardinia, Lugina Aosta, kurse Azores dhe Madaira në Portugali.

Gjithashtu është shqyrtuar edhe arkipelagu i Svalbard-i që i takon Norvegjisë, kurse nga Gjermania janë tri modele: Heligoland, Schlesëig dhe Autonomia e Sorbëve në Saksoni. Modelet e shqyrtuara nga Franca janë ishulli i Korsikës dhe Alzazi që është në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

Tiroli Jugor

Autonomia e Tirolit Jugor në Itali, nga shumë zyrtarë perëndimor ka qenë një nga modelet më të propozuara që mund të aplikohej në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexandër Schallenberg, pas një takimi që kishte pasur me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ishte shprehur se një nga modelet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë autonomia e Tirolit Jugor në Itali.

Ai u ishte bashkuar thirrjeve të kolegëve të tij nga Bashkimi Evropian dhe më gjerë për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë këtu edhe që Kosova ta themelojë Asociacionin, edhe pse kishte deklaruar se “e di sa i vështirë dhe emocional është procesi”, dhe tregoi një shembull për këtë që tha se është “pikërisht Austria”.

“Ky është një vend që ka filluar të ekzistojë në vitin 1918, kur, për shembull, një ministër francez tha: ‘Austria është ajo që mbetet’, është një vend që ka pësuar ndryshimet më të mëdha dhe sot jemi një nga vendet më të pasura, ku njerëz që janë krenarë për gjithçka që është arritur. Shikoni Tirolin e Jugut. Ka shembuj pozitivë dhe Austria është një prej tyre”, shpjegonte Schallenberg.

Edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandi, kishte deklaruar se Asociacioni duhet të themelohet në bazë të modelit të Tirolit Jugor.

“Rezultati duhet të jetë një strukturë e ngjashme me Tirolin Jugor. Sigurisht që komunat veriore të Kosovës nuk do të kenë një organ legjislativ të izoluar. Kjo do të shkaktonte rrëmujë. Por një vetëmenaxhim do të ishte në rregull; si në Tirolin Jugor. Duhet të mendojmë për njerëzit e rregullt që meritojnë një jetë të denjë”, kishte thënë ai.

Po ashtu, se një model i tillë mund të jetë i zbatueshëm në Kosovë mendonte edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Ajo që propozohet në atë dokument [non-paper] duket si statusi i Tirolit Jugor në Itali që zgjidhi problemet bilatarele mes Italisë dhe Austrisë. Mund të jetë një model i suksesshëm, por duhet të jetë i personalizuar duke marrë specifikat e situatës në Kosovë. Të presim e të shohim, por unë i ftoj diplomacitë evropiane të rrisin shkallën e koordinimit për të evituar çdo keqkuptim”, deklaronte ajo në kohën kur ishin publikuar disa dokumente jozyrtare për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Në vazhdën e këtij modeli kishte folur edhe ambasadori i Italisë në Beograd, Luca Gori.

“Ajo që është zbatuar në Tirolin e Jugut ka treguar se mund të funksionojë dhe mund të shërbejë si frymëzim, së bashku me zgjidhjet e tjera të përdorura në vendet e tjera evropiane. Megjithatë, i takon Beogradit dhe Prishtinës të vendosin”, thoshte ai.

Se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i është propozuar si model për Asociacionin Tiroli Jugor, kishte thënë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Kurtit i janë prezantuar 15 modele në tavolinë për Asociacionin, a e dini cili model iu ka prezantuar – i Tirolit Jugor”, kishte pohuar ai.

Por çka është në të vërtetë Tiroli Jugor?

Tiroli Jugor është një nga shembujt më të njohur dhe të përmendur më shumë. Tiroli Jugor është një Provincë Autonome brenda shtetit të Italisë me kryeqytet Bolzanon. Tiroli Jugor ka rreth 540 mijë banorë dhe sipas censusit të fundit të vitit 2011, 62.3 për qind kanë gjermanishten si gjuhë të parë, 23.4 për qind italishten, 4.1 për qind gjuhën e quajtur Ladine, derisa pjesa tjetër flasin gjuhë të tjera si gjuhë të para.

Provinca ka një nivel të lartë të vetë-qeverisjes, me të drejta të zgjeruara legjislative dhe ekzekutive dhe një regjim fiskal që e lejon të mbajë për vete 90 për qind të të ardhurave. Tiroli Jugor është provinca më e pasur në Itali dhe një nga më të pasurat në Bashkimin Evropian.

Qeveria lokale është e bazuar në Kushtetutën e Italisë që i jep status të Autonomisë. Për shkak të një politike fiskale, provincës i lejohet të mbajë shumicën e taksave brenda për të ekzekutuar dhe administruar me kompetencat e veta.

Qeveria e Provincës që ndryshe quhet edhe si Komiteti i Provincës udhëhiqet nga Guvernatori dhe një numër këshilltarësh. Guvernator aktualisht është Arno Kompatscher, derisa ka 8 këshilltarë. Zëvendësit e guvernatorit emërohen nga këshilltarët.

Guvernatori dhe këshilltarët zgjedhën nga parlamenti me një votim të fshehtë me shumicë votash. Kompozicioni i qeverisë duhet patjetër të reflektojë proporcionalisht popullsinë në provincë, sipas gjuhës. Për shkak se grupi që flasin gjuhën ladine përbëjnë vetëm 4 për qind dhe nuk kanë fuqi elektorale është e rregulluar me statut të provincës që i lejon ladinët të jenë pjesë e qeverisë pavarësisht rezultatit zgjedhor, apo numrit të deputetëve në parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore