Kampionate

Pep Guardiola ‘bllokon’ nënshkrimin e lojtarëve nga dy klube


Pep Guardiola (Getty Images)

Pep Guardiola ka një politikë shumë të “qartë” transferimi te Manchester City, e cila përfshin mos nënshkrimin e lojtarëve nga dy klube.

Në afatin kalimtar të verës, Guardiola vuri theksin në sjelljen e lojtarëve më të rinj në klub, duke afruar talente si Josko Gvardiol dhe Jeremy Doku.

Së fundmi Guardiola vlerësoi punën e drejtorit të futbollit, Txiki Begiristain për sigurimin e nënshkrimit prej 15 milionë paundësh të Manuel Akanji.

Por sipas një libri të ri për katalanasin, Guardiola duhej t’i tregonte kolegut të tij prej një kohe të gjatë se ai nuk do të nënshkruante lojtarë nga të dy ish-klubet e tij, Barcelona dhe Bayern Munich.

Gazetari Marti Perarnau, një njeri që ka qasje të afërt me Guardiola-n, do të publikojë një libër të titulluar, “Zot mbroje Pep”, në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai përfshin një nivel krejtësisht të ri të njohurive mbi metodat menaxheriale të Guardiola-s dhe besnikërinë e tij ndaj atyre për të cilët ka punuar.

Ai e kaloi mundësinë për t’u ribashkuar me Lionel Messi-n në vitin 2020 kur ishte te Barça, ndërsa refuzoi gjithashtu të “prekte” yjet e Bayern-it të cilët u identifikuan si objektiva transferimi nga bordi.

“Ishte (Lionel) Messi ai që u ofrua (tek Manchester City në 2020)”, tha Perarnau për “AS”, sipas “Sport Witness”. “Ai që trokiti në derë ishte Leo. Pep (Guardiola) kishte rezervat e tij. Ai është shumë i qartë që të mos prekë Barçën dhe të mos prekë Bayern-in”.

“City kishte një listë të lojtarëve të Bayern-it për të nënshkruar dhe Pep i tha Txiki (Begiristain) të mos prekte askënd. Dhe kishte shumë prej tyre, pothuajse të gjithë përveç portierit”, shtoi gazetari.

Megjithatë, ka disa përjashtime. Guardiola nënshkroi Thiago Alcantara nga Barça kur ishte te Bayern, dhe gjithashtu e bëri Claudio Bravo një nga blerjet e tij të para në City nga Blaugranat.

Pesë herë fituesi i Premier League ka qenë gjithashtu më se i lumtur që ka lejuar lojtarët të kalojnë në ish-klubet e tij me Eric Garcia, Ferran Torres, Ilkay Gundogan dhe Joao Cancelo që të gjithë kanë nënshkruar për Barçën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore