Sport

Pensionohet nga futbolli i luajtur kampioni i Anglisë me Leicester-in


Ish-futbollisti i Leicester City-t, Christian Fuchs, i ka dhënë fund futbollit të luajtur në moshën 36-vjeçare.

Fuchs, i cili në sezonin 2015/16 u shpall kampion me Leicester në Premier League vendosi të “var këpucët në gozhdë”.

Ish-mbrojtësi që në karrierën e tij është aktivizuar Bochum, Mainz e Schalke 04 në Gjermani, së fundmi bënte pjesë e radhëve të Charlotte në Amerikë.

Mirëpo, ashtu siç shprehet edhe vetë austriaku, për të kishte ardhur momenti për t’u tërhequr dhe për të shijuar momentet pranë familjes.

“Ka qenë një rrugëtim i mrekullueshëm për mua dhe familjen time. Jo vetëm që kemi festuar shumë suksese gjatë këyre viteve, por edhe kemi pasur fatin të mësojmë nga shumë njerëz të jashtëzakonshëm”, tha Fuchs.

“Jam shumë i lumtur për mbështetjen që më kanë dhuruar gjatë gjithë karrierës klubet ku jam aktivizuar, shokët e skuadrës dhe tifozët”.

“Tani do t’i kujtoj të gjitha ditët e bukura dhe do t’i mbaj pjesë të jetës sime”, u shpreh Fuchs.

Në të gjithë karrierën e tij profesionale, Fuchs numëron 577 ndeshje duke shënuar 37 gola dhe 87 asistime, ndërsa 36-vjeçari regjistron edhe 78 paraqitje me kombëtaren e Austrisë nga të cilat në 37 raste mbajti shiritin e kapitenit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore