Lajme

Pendarovski: Shqipëria të ecë drejt BE-së, s’ka pse mbetet peng i problemit tonë me Bullgarinë


Në konferencën e mbajtur në Zagreb, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se Shqipëria mund të vijojë me përparimin drejt Bashkimit Evropian (BE), pa qenë e lidhur me përparimin e shtetit të tij, pasi gjenden në një pozitë morale dhe të drejtë.

Gjatë komunikimit me gazetarët, u kërkua një koment mbi deklaratën e Euro-Komisionerit, Oliver Varhelyi, se Shqipëria mundet të fillojë negociatat me BE-në edhe pa Maqedoninë e Veriut.

“Zotërinjtë nga Shqipëria të vijojnë me përparimin drejt BE-së, për shkak se e meritojnë këtë”, u shpreh fillimisht Pendarovski.

Më tej, ai tha se edhe Maqedonia e Veriut për vite me radhë e ka merituar të njëjtën gjë.

Pendarovski siguroi se nuk ka e as nuk do të ketë asnjë vërejtje nga Shkupi për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Sipas tij, Shqipëria nuk mund të bllokohet pasi Maqedonia e Veriut gjendet në një situatë ku, për shkak të një konteksti bilateral, janë të bllokuar.

Vizita

Në agjendën e vizitës së Stevo Pendarovski, u diskutuan dhe rruga dhe problemet me të cilat është përballur Maqedonia e Veriut me Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës dyditore në Zagreb, ka theksuar mbështetjen e presidentit kroat, Zoran Millanoviç, dhe Kroacisë ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave me BE-në.

Vizita e Pendarovski-t në Kroaci përkoi me përfundimin e mandatit të Presidencës portugeze, gjë të cilën të dy presidentët e kanë mirëpritur.

Sllovenia do të jetë Presidenca e rradhës të Këshillit të BE-së, që sipas të dy presidentëve, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për vendet e Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e unionit.

Bullgaria

Më herët, Pendarovski deklaroi se, derisa Bullgaria të formojë një parlament dhe qeveri të re politike, i cili do të drejtojë mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, nuk do të kërkohet asgjë nga Sofja.

Kur u pyet në lidhje me letrën e dërguar nga Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme, pas takimit me Këshillin Evropian, Pendarovski e quajti një hile të marketingut.

Më parë, në muajin qershor, kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore (RMV), Zoran Zaev, u takua në Sofje me kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Stefan Janev, dhe disa nga ministrat e qeverisë bullgare.

Edi Rama

Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se punët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të kryera.

Me nënqeshje, ai tha se shpresa e tij mbetet që nga “Bullgaria, të mos kërkohet që Maqedonia e Veriut të quhet Bullgaria Perëndimore”.

Këtë batutë, Rama e përkufizoi, duke vlerësuar lart figurën e Zaev-it.

“Erdha këtu edhe për të lumturuar Zoranin”, tha Rama, duke iu referuar kryeministrit maqedonas, si vëllai i tij. “Ai duhet të jetë shumë krenar, sepse ka arritur diçka të paimagjinueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore