Shqipëria

Peleshi: Të rinjtë, të interesuar për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura


Pas qytetit të Elbasanit, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka ftuar të rinjtë nga Korça që të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Sipas ministrisë, kjo fushatë e rekrutimeve për ushtarë-detarë është pritur me interes në këtë qytet.

“Ne duam të ftojmë, jo vetëm me thirrje patriotike të rinjtë për t’u bërë pjesë e FA-së, por marrim përsipër edhe përgjegjësitë tona për t’i dhënë sa më shumë dinjitet këtij pozicioni”, tha ai.

Peleshi ka theksuar se të jesh ushtarak, të jesh efektiv i FA-së është një nder, një krenari e madhe, sepse përfaqëson të gjithë forcën e kombit, përfaqëson një vend që është anëtar i NATO-s.

Ai bëri të ditur se të gjithë ata të rinj që, nesër do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura, si rezultat i këtij procesi rekrutimi do të vlerësohen nga një sistem pagash që është ndër më të lartat në rajon.

Peleshi tha se Qeveria shqiptare e bën këtë për t’i treguar Aleancës se Shqipëria meriton të jetë anëtare e NATO-s, por edhe për të treguar ambicien për të qenë të krahasueshëm me vendet e tjera anëtare të kësaj Aleance.

Teksa përsëriti ftesën për të rinjtë e të rejat, ai theksoi se FA krijon hapësira të mëdha karriere.

“Në rast se ke arsim të lartë hapen dyer shumë të mëdha përmes kurseve në vendet e NATO-s, në Shqipëri në Akademinë e FA ti mund të rritesh në karrierë, mund të arrish edhe gradat më të larta pse jo, por edhe në rast se ke një arsim më modest një arsim të mesëm përsëri ke mundësi të futesh në sistemin e gradimeve”, shpjegoi ministri Peleshi.

Fushata e rekrutimeve do të zgjasë deri më 20 janar dhe këtë herë ka një specifikë.

Për ta bërë më të lehtë qasjen e të rinjve, në çdo qendër qyteti janë ngritur pika të veçanta, duke mos e kufizuar këtë proces vetëm në qendrat e rekrutimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore