Shqipëria

Pedonalja e Tiranës: Paradoksi i hijeshisë në mes të papastërtisë


Një nga shëtitoret më të populluara të vendit. Një vendtakim i turistëve, i organizimit të ngjarjeve më të rëndësishme kulturore.

Vetëm tre minuta larg Bashkisë së kryeqytetit.

Bëhet fjalë pikërisht për Pedonalen (Shëtitoren Murat Toptani), e cila zuri një vend të rëndësishëm edhe në përshkrimin e Vanity Fair.

Por asnjëra nga këto veçori të lartpërmendura nuk siguron se pastërtia do të jetë një element i përjetshëm.

Teksa syri është mësuar të shohë grumbullime me plehra në cepa të ndryshëm të Tiranës – është e vështirë të shihet sesi pastrimi i pllakave të Pedonales është shuar si proces.

Një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, këtë sezon turistik duket se e ka humbur disi hijeshinë e saj.

 

Albanian Post ka parë nga afër se si duket kjo shëtitore një ditë të hënë, kur të gjithë janë kthyer në punë, në orën 10:00 kur pastrimi pretendohet të jetë kryer orë më parë.

Bizneset në zonë sigurohen që të pastrojnë vetëm zonën e aktivitetit të tyre, duke harruar se klienti do të konsumojë diçka me sytë nga pllakat të cilat e kanë harruar ndjesinë e larjes.

Por pedonalja mbetet vetëm qershia mbi tortë, pasi këtë verë Bashkia e Tiranës (dhe shumë të tjera) duket se ka marrë pushimet me kohë.

Në Dhërmi edhe pse resortet janë shtuar si kërpudhat pas ujit, plehrat plazhërojnë së bashku me plazhistët që marrin rrezet e diellit aty pranë.

Në Durrës dhe Kavajë (kampione në këtë sport) pothuajse kurrë nuk ka mjaftueshëm kosha.

Plehrat hidhen në trotuare, duke treguar qartë ndryshimin me superinvestimet e bërë vitet e fundit.

Nga ana tjetër, revista “Monitor” në analizën e fundit të të dhënave tregon se transporti i plehrave nga Kavaja dhe Durrësi drejt Tiranës i ka vënë bashkitë bregdetare në vështirësi.

Kjo pasi po çojnë për shërbimet e pastrimit pjesën më të madhe te të ardhurave të veta teksa në horizont nuk ka asnjë zgjidhje të re për çështjen e menaxhimit të mbetjeve në zonën me të populluar të vendit.

Në vitin 2023 Bashkia e Kavajës dhe ajo e Durrësit çuan 27 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për pastrimin e mbetjeve, dhe kishin peshën më të lartë të shpenzimeve për këtë zë nga të gjitha bashkitë e tjera.

Por duket se shpenzimet e larta e qyteteve kryesore të vendit si Durrësi dhe Tirana nuk tregon asgjë tani që në kulmin e sezonit turistik janë të mbytura kudo nga plehra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore