Kosova

Peci: S’ka arsye që të na mbes hatri pse Shqipëria s’po mbytet me ne


Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi njëherësh edhe drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi njëherësh edhe drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, pas anulimit të mbledhjes Kosovë-Shqipëri ka thënë se nëse është Kosova ajo që dëshiron të mbytet, atëherë këtë le ta bëjë vet.

Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të mbytet me të.

“Nëse po dëshirojmë të mbytemi vet, nuk ka asnjë arsye që të na mbetet hatri se pse Shqipëria nuk po dëshiron të mbytet me ne!”.

“Kur e bën njet me bë vetëvrasje, askush nuk mundet të shpëtoj, edhe nëse e ke prind, vëlla apo motër! Fikë se fikë, bile me muzikë!”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Mbledhja që ishte paraparë të mbahej këtë të mërkurë mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, por që është anuluar nga kryeministri Edi Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për shkak të situatës aktuale në Kosovë.

Ndërsa, një varg sanksionesh tepër serioze janë pregatitur tashmë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka ndarë me shtetet anëtare një pjesë të “skicës” për disa nga “masat shtrënguese” të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri.

Për këto masa njoftoi të martën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili në një përgjigje për Albanian Post, teksa komentoi planin pesë-pikësh të kryeministrit Kurti, tha se tani për tani kancelaritë evropiane nuk kanë parë “asnjë hap vendimtar” nga kreu i ekzekutivit për zgjidhjen e krizës në veri.

“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtar nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, pohoi Stano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore