Lajme

Peci: Disa prona të ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë po përdorën në mënyrë të kundërligjshme


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci për disa prona në Prishtinë ka thënë se janë pronë e dikasterit të cilin ai e udhëheq dhe që rasti është denoncuar prej 7 muajsh.

Sipas tij, në këto prona është duke u kryer “veprimtari e kundërligjshëm”.

“Janë bërë më shumë se 7 muaj prej që kemi denoncuar dhe ofruar të gjitha faktet e poseduara se lokale afariste në zemër të Prishtinës, janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë”.

“Veprimtari që ushtrohet kundërligjshëm sepse ska se si të jetë ndryshe kur edhe kundërligjshëm janë ndërtuar e po në atë mënyrë vazhdojnë të funksionojnë”, ka shkruar ministri.

Teksa për rastin ka thënë se e kanë informuar edhe policinë edhe prokurorinë, por edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

“Përveç provave të deponuara në polici e prokurori, ndihmë rreth kësaj çështjeje kemi kërkuar edhe nga Kryetari i Prishtinës me të cilin jemi dakorduar që ta ndërmarrë një aksion përmes inspektoratit”.

“Përkundër dakordimin me gjasë nuk i ka pa edhe 3 kërkesat e drejtuara përmes emaili, që ta lirojë pronën e Ministrisë dhe t’ia kthejë titullarit”.

Sipas ministrit, për ata që i kanë lejuar dhe mundësuar këto veprimtari, prokuroria ka njohuri.

“Ata që i kanë lejuar dhe mundësuar këto veprimtari janë emra të përvetshëm e që prokuroria i posedon me fakte. Që nga viti 2012, janë edhe shumë përgjegjës të tjerë që pavarësisht informatave për keqpërdorime, me vetëdije të plotë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim”.

Po ashtu më 14 maj ministri i Bujqësisë, kishte thënë se kanë kaluar shtatë muaj prejse ka denoncuar publikisht në Prokurori vilat e ndërtuara ilegalisht në Rugovë të Pejës.

Vitin e kaluar, Pecit i ishte ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës pasi kishte marrë kërcënime.

Kërcënimet kishin ardhur si pasojë e deklaratës së Pecit se ka të gjetura skandaloze nga Komisioni që është themeluar pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore