Lajme

Peach e sheh si prioritet zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur


Stuart Peach

I dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, pas përfundimit të vizitës së tij në Kosovë, përmes një video-mesazhi ka listuar disa nga prioritet e tij si emisar, ku mes tjerash ka përfshirë zgjidhjen e çështjes së viktimave të luftës dhe personave të zhdukur.

Forcimi i institucioneve demokratike, një qasje serioze në trajtimin e krimit të organizuar, ishin disa nga prioritetet e tjera të Peach.

Ish-ushtaraku britanik i cili tashmë është veshur me petkun e një diplomati ka potencuar se detyra e tij si emisar special është që të mbështes punën e Britanisë së Madhe në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Gadishullin Ballkanik.

Peach tha se për dialogun Kosovë-Serbi po bashkëpunon me Bashkimin Evropian, pasi sipas tij ky proces siç është prioritet për Kosovën, është edhe për Britaninë e Madhe.

“Kosova ka zhvilluar mirëfunksionimin e demokracisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe është duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm në trajtimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Britania e Madhe mbetet, si gjithmonë, një partner i palëkundur i Kosovës dhe është e zotuar që të trajtojë kërcënimet ndaj stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, ka thënë mes tjerash ai.

Për Peach, Kosova, gjithmonë ka qenë një vend special, që nga koha kur ai ka ardhur për herë të parë në këtë vend në vitin 2000.

“Të vijë prapë më 2022 dhe të shoh sa shumë ka ndryshuar Kosova për të mirë, është e mrekullueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore