Lajme

PDK nuk shkon në seancën urgjente të thirrur nga Kurti për referendumin e Serbisë


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria dhe mazhoranca kanë bërë thirrje për mbajtje të një seance për nesër, për të shtruar këtë temë për diskutim edhe në Kuvendin e Kosovës, mirëpo për PDK-në kjo seancë nuk ka ndonjë dobi, ka thënë ai.

“PDK e sheh krejt të pa nevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti po i shmanget përgjegjësisë dhe se një seancë e tillë, është krejtësisht e pa nevojshme.

“Për ne mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë përben shkelje të sovranitetit dhe rendit tonë kushtetues”.

Andaj “ne i kemi parapri dhe kemi mbështetur qasjen për të mos lejuar organizimin e këtij referendumi”, duke shtuar se kanë dëshirë që “Qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it dhe veçmas me SHBA-të, në raport me këtë çështje”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri

PDK ka kritikuar Qeverinë se nuk mund të marrin vet një vendim për të menaxhuar këtë situatë dhe se vendi nuk mund të mbrohet me rezoluta por me instrumentet qeveritare.

“I bëjmë me dije kryeministrit se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve qe rrjedhin nga ligjet është përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë dhe jo e Kuvendit”.

“Rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me rezoluta, e dimë se cili është karakteri i rezolutave që miratohen në Kuvendin e Kosovës. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetues dhe për t’i qëndruar mbrapa vendimeve të saj”, ka deklaruar Tahiri.

 

Kuvendi konfirmon seancën e jashtëzakonshme për të shtunën

Pas kërkesës së kryeministrit Kurti për seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se të shtunën e 15 janarit në ora 14:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore