Kosova

PDK: Kosova ka nevojë për Qeveri dhe Kryeministër të ri, Bedri Hamza është zgjidhja


Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se nisur nga situata “e vështirë” në të cilën gjenden sot Kosova dhe qytetarët e saj, mobilizimi për t’i dhënë vendit një Qeveri të re, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme më 9 shkurt – “është i domosdoshëm”.

Këto komente, Krasniqi i ka bërë gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së të premten, në të cilën, sic njoftojnë nga kjo parti, është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend.

Krasniqi i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë me të gjitha përgatitjet që po bëhen në mobilizimin e të gjitha strukturave të partisë, brenda dhe jashtë Kosovës.

Nga ana tjetër, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar anëtarët e Kryesisë me punën që është bërë në përpilimin e programit dhe ofertës së PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Hamza ka thënë se PDK do të ketë programin më të mirë dhe më profesional; “pikërisht atë për të cilin kanë nevojë sot vendi dhe qytetarët”.

Bëhet me dije se anëtarët e Kryesisë së PDK-së i kanë dhënë mbështetjen e plotë Hamës, në raport me punën dhe programin e tij qeverisës.

PDK, më 9 shkurt të vitit 2025, në zgjedhjet e reja parlamentare në vend, përmes kandidatit të saj Bedri Hamza, ofertës së tij programore dhe listës së kandidatëve për deputetë, “do t’i jap vendit një Qeveri të re që rikthen shtetin në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore