Kosova

PDK: Institucionet të hetojnë djegien e dy veturave në Zveçan


Partia Demokratike e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dënuar ashpër djegien e dy veturave zyrtare në Zveçan në vendparkimin e objektit të komunës.

Përmes një komunikate për media nga PDK-ja u është bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë që ta hetojnë dhe ta zbardhin këtë rast.

“Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër aktin e mbrëmshëm kriminal të djegies së dy veturave zyrtare të Komunës së Zveçanit në vendparkimin e objektit të komunës. PDK u bën thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ta hetojnë dhe ta zbardhin sa më parë këtë rast, si dhe të angazhohen në parandalimin e akteve të tilla të mundshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në Zveçan për të drejtuar dhe për të shprehur nevojat e tyre ndaj komunës po u pengon grupeve kriminale.

“Kryetari i komunës, Ilir Peci dhe ekipi i tij mbeten të përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Kjo parti ka kërkuar nga organet e rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve të tjerë të Zveçanit.

Ndër të tjera, kanë apeluar të gjithë qytetarët që të shfaqin qetësi e maturi si dhe të bashkëpunojnë me organet e sigurisë.

Të premten e 26 korrikut është raportuar për djegien e dy vetura në komunën e Zveçanit rreth orës 01:40, ku është dyshuar për zjarrvënie.

Ndërsa, ishte njoftuar se nuk kishte të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore