Kosova

PDK akuzon Qeverinë: Emërimet partiake s’kanë të ndalur


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka akuzuar Qeverinë për emërimet politike në institucionet e pavarura në Kosovë.

Në një konferencë për media, deputetja e PDK-së ka denoncuar zhvillimet e fundit që po ndodhin me emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë nga ana e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka deklaruar se ministrja ka emëruar në këtë këshill persona që nuk kanw tw drejtw të jenë pjesë e bordeve për shkak të lidhjes së tyre familjare ose partiake me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe për kriteret e tjera që bien në ndesh me udhëzimin administrativ.

“Në fillim të muajit prill Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hapur konkursin për anëtarët e rinj të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ku ka emëruar komisionin prej pesë anëtarëve në mesin e të cilëve është edhe ish-aktivisti i LVV, Rron Gjinovci”.

Hoxha ka deklaruar gjithashtu se komisioni në këtë përbërje ka hartuar të gjithë dokumentacionin.

“Ministrja ka përzgjedhur një person të tretë i cili nuk është pjesë e listës së parë të atyre që i kanë plotësuar kushtet e që është profesori Seb Bytyçi”.

Pwr Seb Bytyçin thuhet se nuk ka qenë pjesë e listës së ngushtë për zgjedhje dhe si i tillë nuk i ka plotësuar kriteret.

“Profesori Bytyçi nuk guxon të ketë dy vende të punës full time, ai punon me 40 orë në Riinvest dhe në të njëjtën kohë në një universitet në Angli.”, është shprehur ajo.

Si të afërt me Dukagjin Popovcin i cili është zëvendësministër i arsimit e ka pa edhe Profesoreshën e filozofisë, Hasnije Ilazi.

“Hasnije Ilazi ka qenë e angazhuar në organizatën KEC të themeluar nga zëvendësministri aktual i Arsimit, Dukagjin Pupovci dhe ka qenë mentore e Rron Gjinovcit”, tha ajo.

Ajo ka thënë se nëse një propozim i tillë shkon në komision dhe nëse votohet në Kuvend shihet ushtrimi i ndikimit në këtë institucion.

“Nëse ky propozim i qeverisë vjen në Komisionin tonë dhe votohet në Kuvend, duket ashiqare që ndikimi i qeverisë do të jetë jashtëzakonisht i madh në këtë institucion të pavarur”.

“Dihet që Kosova është përjashtuar nga mekanizmat që lidhen me cilësinë e arsimit ENQA dhe EQAR dhe kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova në dy vitet në vijim për t’u rikthyer në këta mekanizma të rëndësishëm kanë të bëjnë me mosinterferimin e politikës”, ka përfunduar deputetja Hoxha.

Menjëherë pas denoncimit nga ana e PDK-së, për emërimet e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka reaguar Rron Gjinovci.

Ai në rrjetin e tij social “Facebook” ka shkruar se Eliza Hoxha është pjesë e një partie të korruptuar dhe se nuk kupton problemet në arsim e as në politikë.

“Eliza Hoxha është e padijshme (sepse nuk i kupton problemet në arsim e qe besa as në politikë), e pandershme (sepse shpif dhe rren publikisht) edhe pjesë e një partie të korruptuar”, ka shkruar ai.

Gjinovci tutje ka thënë se Eliza Hoxha duhet të deklarohet se çfarë mendimi ka për rastin Pronto e pastaj të flas për angazhimet e tij.

“Mendon që krejt bota funksionojnë si ajo dhe partia e saj. Këto lidhje që po i sheh ajo, nuk ekzistojnë. Eliza le të më thotë mu çka mendon për rastin Pronto dhe kolegun e saj Adem Grabovci, mandej le të flet çka të donë për mu dhe angazhimet e mia”, ka shkruar ai në postim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore