Lajme

PDK: 100 eurot e ndara për pensionistët e fëmijët në fakt kanë qenë mjete të destinuara për KEDS-in


Uran Ismaili

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në një konferencë për media, këtë të mërkurë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë të ulin çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij faturat e dyfishuara ose të trefishuara mujore, apo edhe më të larta të energjisë që i kanë pranuar qytetarët gjatë kësaj jave, janë të padrejta dhe të papërballueshme.

“Andaj, është kërkesë imediate që Qeveria, bashkë me ZRRE-në të fillojnë urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjitha akterët që kanë abuzuar me situatën në sektorin e energjisë. Sepse, vazhdimi i faturimit të energjisë me tarifat aktuale do të jetë rrënues për familjet në Kosovë”, tha ai.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, sipas Ismailit, i ka vënë qytetarët para një vështirësie të madhe financiare

“Këtë muaj, pamë një politikë të Qeverisë kinse për të ndihmuar qytetarët. Ato 58 milionë euro që u ndanë si subvencione nga Qeveria për fëmijë dhe pensionistë, po dëshmohet se në fakt kanë qenë mjete të ndara për KEDS-in. Qytetarët vetëm janë përdorur si ndërmjetësues në këtë transaksion të planifikuar. Faturat të energjisë janë dëshmi e kësaj politike të dëmshme dhe manipuluese”.

Ismaili, gjatë konferencës ka rikujtuar dy deklaratat kontradiktore të kryeministrit Albin Kurti, atë të vitit 2015 se qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike, si dhe atë të vitit 2022 se aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë.

“Ani pse e kanë të njëjtin burim, këto dy deklarata shpërfaqin jo vetëm ndryshimin nga opozita në pushtet, por dhe qëllimin e kësaj Qeverie për të dyfishuar çmimin e energjisë për qytetarët e Kosovës. Pra, ekziston një përgjegjësi e drejtpërdrejtë qeveritare për situatën e vështirë në të cilën sot janë qytetarët tanë, të cilat vijnë si rrjedhojë e skandaleve dhe politikave të kësaj Qeverie në energji”, tha ai.

Ismaili ka potencuar se çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare ka rënë nga mesatarisht 300 euro në vitin e kaluar, në 21 euro për megavat sot.

“Prapë se prapë nuk e ka marrë asnjë vendim për të zbritur tarifat e energjisë për qytetarët tanë, por kanë mbajtur çmimet shumë të larta aktuale. Kjo Qeveri i ka dhënë 113 milionë euro nga taksat tona për të paguar energjinë e serbëve në pjesën veriore të vendit”.

“Kjo Qeveri, nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë. Përkundrazi, ajo ka hequr dorë edhe nga projekti i gazit amerikan, që do të ndihmonte shumë sigurinë energjetike të vendit, rrjedhimisht edhe ekonomitë familjare të Kosovës. Si përfundim, kjo Qeveri, fatkeqësisht, nuk e ka as në temë, as në plan dhe as në agjendë mbështetjen e ekonomive familjare dhe prodhimit vendor energjetik. Barrën e energjisë elektrike të ngritur, do ta paguajnë edhe për një kohë të gjatë qytetarët e vendit tonë”, theksoi Ismaili.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore