Shqipëria

PD-PS bien dakord, dy javë për relacionin e çështjes Xhaçka


Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë rënë dakord mbi çështjen e imunitetit të deputetes Olta Xhaçka, duke u dakordësuar mbi një periudhë dy-javore për relatorët, të cilët do të hartojnë edhe relacionin përkatës.

Këtë propozim e ka dhënë së pari deputetja e të majtëve, Klotilda Bushka, e cila është pjesë e Komisionit për Mandatet dhe Imunitetin. Sipas saj, kjo kohë do të jetë e mjaftueshme për dy relatorët, që të mbledhin gjithë informacionet e duhura sa i përket pretendimeve të opozitës për deputeten Xhaçka.

Këtë propozim e ka pranuar menjëherë pala demokrate, e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj, por me kusht që ky afat të mos shtyhet dhe të mos tejkalohet më nga deputetët socialistë.

Pra, të jetë përmbyllës në këto dy javë e më pas shterrues për çështjen, duke rezultuar edhe në një vendim nga Komisioni.

Si rrodhi çështja?

Kërkesa ka ardhur nga 15 deputetë të opozitës për mocion “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Më 1 korrik, Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë u mblodh për të dytën herë për të shqyrtuar kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të kryediplomates si deputete.

Në mbledhje u vendos që të thirrej ministrja Xhaçka për të dhënë qëndrimin e saj.

Kërkesa e deputetëve demokratë erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore