Shqipëria

PD përballë primareve, si do të zhvillohen?


Vetë pak orë e ndajnë Partinë Demokratike nga zhvillimi i primareve, për zgjedhjen e kandidatëve, të cilët do të përfaqësojnë forcën e djathtë politike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Me një rregullore të paracaktuar, të ngjashme me atë të primareve të partive politike amerikane, blutë do të kërkojnë rikthimin aktiv në politikën vendore.

Por, si do të zhvillohen primaret dhe kush fiton?

Së pari, duhet bërë e qartë se primare do të ketë në 60 nga 61 bashkitë e vendit.

E vetmja bashki ku nuk do të ketë garim, është ajo e Malësisë së Madhe, dega e së cilës ka refuzuar të zhvillojë procesin, duke i dalë kundër Sali Berishës në këtë “reformim” që po kërkon të kryejë brenda PD-së.

Në shtatë bashki të tjera, do të ketë vetëm një kandidaturë për primare, duke e bërë kështu procesin thjesht një formalitet.

Nga ana tjetër, do të ketë një rekord prej 11 kandidatësh, në bashkinë Krujë, ku dy emrat kryesorë në lojë janë Ndriçim Babasi dhe Agron Loka.

Gjithashtu në Krujë do të garojë edhe një kandidat nga Partia e Lirisë, Denis Hidri, i cili bëhet kështu pjesë e procesit, pavarësisht se kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, ka bërë më parë me dije se përtej koalicionit, nuk pretendonte kandidatë për kryetarë bashkie.

Në kryeqytet, lufta do të jetë po ashtu e fortë, pasi pjesë e procesit janë bërë shtatë emra, mes të cilëve përparësi pritet të kenë Belind Këlliçi, mjeku Ilir Alimehmeti si edhe ish-deputeti, Gerti Bogdani.

Interesante do të jetë gara edhe në Bashkinë Kurbin, ku disa ditë më parë, u shënjua edhe një incident me armë, gjë që çoi në përjashtimin e dy personave nga primtaret: Alfred Dajçin dhe Edmond Shkozën.

Numër të lartë kandidatësh do të ketë edhe në Librazhd me gjashtë të tillë, Selenicë, Mirditë, Dibër dhe Lezhë me po aq, Fushë-Arrëz me pesë kandidatë dhe po aq edhe në Sarandë, Tropojë, Fier dhe Mat.

Sipas rregullit, një kandidat duhet të marrë minimalisht 50% të votave, për të qenë fitues.

Në rast se asnjë nga kandidatët në bashkitë me shumë të tillë, nuk arrihet kuota e 50%, atëherë gara shkon në balotazh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore