PD kallëzoi në SPAK deputetët e PS për mandatin e Xhaçkës, Manja: Kuvendi është sovrani

Sipas tij, Kuvendi e ka dërguar çështjen në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion
SHFLETO
Rajmonda Basha
02.10.2024 17:00
Loading Icons...

Ministri Ulsi Manja, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave ditën e sotme u pyet lidhur me padinë penale të ngritur nga PD për të gjithë grupin parlamentar të socialistëve, kryeministrin dhe disa ministra.

Kjo, me arsyetimin se penguan ekzekutimin e 2 vendimeve të Kushtetueses për mandatin e Olta Xhaçkës.

Sipas tij, Kuvendi e ka dërguar çështjen në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion.

“Edhe si ministër dhe si deputet i PS çështja është në Komisionin e Venecias, për një opinion sa herë kemi paqartësi në lidhje me një vendimmarrje. Do presim opinionin e Venecias dhe pastaj do të ketë një vendimmarrje të Kuvendit, komisioni, Kuvendi i Shqipërisë është sovrani, mbi Kuvendin nuk mund ti imponohet askush dhe prandaj Kuvendi ka vendosur që ti drejtohet komisionit të Venecias dhe i është thënë kjo është problematika, këto janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, na jepni një opinion”, tha ai.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme, 73 deputetë të Partisë Socialiste.

Ata akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”.

Kjo në lidhje me mos dërgimin e çështjes së mandatit të Olta Xhaçkës në Kushtetuese.

PD argumenton se kjo është një mbrojtje e papranueshme politike dhe pengim ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka.

Grupi Parlamentar i PD-së thekson në kallëzim se ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal.

Pranimi në Venecia

Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e Kuvendit, nëpërmjet së cilës kërkohet opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 dhjetor 2024.

Sakaq në letrën drejtuar Komisionit të Venecias bëhet një rezyme të asaj që çfarë ka ndodhur, çfarë parashikon Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe mënyra si funksionon Gjykata Kushtetuese.

Çfarë vendosi Kushtetuesja

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dërgojë menjëherë në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Përmes vendimit, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaçaj.

Sipas saj, vendimet e Kushtetueses kanë efektet dhe forcën e ligjit që asnjë organ s’ka të drejtë t’i vërë në diskutim.

“Organet shtetërore duhet t’i zbatojnë”.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese.

Zaçaj sqaroi se, Kuvendi duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës pasi nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare.

“Është në kuadër të ekzekutimit të Gjykatës, e cila ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e konfliktit me Kuvendin (kërkesa e opozitës)”.

Zaçaj gjithashtu bëri me dije se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PS-së, e cila me anë të Kuvendi i kërkoi Kushtetueses që të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecias.