Shqipëria

PD-ja e Berishës mban primaret të dielën, pa ditur si do garojnë më 6 mars


“Të dielën mbahet votimi primar sipas statutit të partisë, ku anëtarësia do të zgjedhë kandidatin që do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore”.

Këtë e ka bërë të ditur ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mbrëmjen e 27 janarit, i ftuar në emisionin “Opinion”, për sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 6 marsit.

Më tej, Berisha ka shpjeguar dhe sesi do të bëhet përzgjedhja.

“Deri më tani janë 20 kandidatë brenda lëvizjes së Partisë Demokratike, ku njëri prej tyre zgjidhet të dielën, që do të garojë për kreun e Bashkisë Shkodër”, tha ai.

Ndër të tjera, ish-lideri i PD-së tha se lista e kandidatëve do të konkludohet gjatë këtyre ditëve, porse nuk e zbuloi mekanizmin se si do të garojë, duke qenë i dyzuar nëse do të bëjë koalicion me partitë e tjera, apo me kandidatë të pavarur.

“Ligji jep dy mundësi, një aleancë ose koalicion partish, tjetra komision mbështetje i kandidatëve i përbërë nga nëntë vetë”, deklaroi Berisha.

Nga ana tjetër, më 25 janar, PD-ja është regjistruar zyrtarisht për procesin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, ku garohet në gjashtë bashki të vendit.

Berisha, që prej përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së, nga vetë kreu Lulzim Basha ishte i pranishëm në seancën e dytë plenare të Kuvendit të 27 janarit.

Përjashtimi i tij erdhi me arsyetimin se vetë Berisha dhe familja e tij u shpallën si persona non grata nga SHBA-të.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ai nuk i kurseu akuzat për kreun e qeverisë, Edi Rama dhe kryedemokratin, Lulzim Basha.

Më herët, në një deklaratë para mediave, ai zbuloi se e ka gjetur “mekanizmin” për të fituar zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore