Shqipëria

PD: Berisha u mundua sërish të gënjejë shqiptarët


Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së ish-liderit demokrat, Sali Berisha, duke i ravijëzuar këto të fundit si tentativa “për të gënjyer sërish shqiptarët”.

“Mashtruesi kronik, sërish sot u mundua të gënjejë shqiptarët për atë që e gjithë bota e pa, dhunën e planifikuar dhe urdhëruar nga Sali Berisha”, pikënis reagimi i selisë blu.

Kjo situatë, sipas forcës politike të udhëhequr nga Lulzim Basha, nuk është diçka e re.

“Që prej 9 shtatorit”, vijon deklarata, “Sali Berisha veç ka gënjyer e mashtruar për hallin e tij të madh, për dosjen e tij ‘non grata'”.

Statusi i publikuar në median sociale “Facebook”, përmbyllet duke nënvizuar se “mashtrimet dhe gënjeshtrat e Berishës morën fund ditën në të cilën ai dështoi të merrte me vete në fatin e tij të zi Partinë Demokratike!”.

Deklarata

Ish-kryeministri i Shqipërisë, pas dy orësh e gjysmë i marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, doli prej godinës me një zbardhje të dëshmisë së tij.

Ai drejtoi një akuzë të fortë kundrejt kreut aktual të demokratëve, Lulzim Bashës.

“Shëmtira më kryesore, akti më i paimagjinueshëm, momenti më kriminal në historinë e 30 viteve, ishte Lulzim Basha i rrethuar nga një bandë vrasësish, trafikantësh e pengmarrësish”.

Në një vijim akuzash për Bashën, Berisha ka rithënë sërish se sipas tij, Basha është bërë palë për të lejuar ndërtimin e kullave në oborrin e selisë blu.

Ndërsa, një paralajmërim e ka sjellë, për mbështetësit e Bashës.

“PD do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenarësh, vrasësish, trafikantësh. Emrat konkretë i keni të publikuar edhe në Facebook-un tim, disa prej tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore