Shqipëria

PD: Alibeaj është i shkarkuar, nuk mund të depozitojë ankimime


Partia Demokratike (PD), nëpërmjet një mesazhi për mediat, ka reaguar pasi Enkelejd Alibeaj ka depozituar një kërkesë ankimore në Gjykatë për vendimin e marrë më 25 mars, i cili njihte ndryshimet në Kuvendin e “11 Dhjetorit”.

PD-ja thekson se Alibeaj është i shkarkuar si nënkryetar i partisë dhe, për pasojë, nuk plotëson asnjë kriter legjitim për t’u ankuar.

“Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar i PD-së dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të Partisë Demokratike Komisionin e Rithemelimit të Partisë”, shkruhet në reagim.

Po ashtu, aty ravijëzohet se, Kuvendi ka shkarkuar Alibeajn si nënkryetar të Partisë Demokratike.

Pra, sipas tyre, ai nuk përfaqëson PD-në në asnjë marrëdhënie me të tretët.

“Së dyti, për sa i takon kërkesës ankimore, ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës”.

Alibeaj, pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha –  pat deklaruar se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.

Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, ai bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sakaq, Alibeaj ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij, nuk i ka poseduar këto prova.

Kujtojmë që gjyqtari Zhukri ka njohur ligjërisht punimet e Kuvendit të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor, nga ku u formua dhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së.

Nga ky i fundit u miratuan disa ndryshime statutore dhe shkarkimi i kreut të PD-së, Lulzim Bashës.

Tanimë kemi dy njohje të statuteve të PD-së, pasi më 18 mars u njohën vendimet e Kuvendit të PD-së të mbajtur më 17 korrik.

Kjo do të thotë se, çdo akt i organeve të PD-së, i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit të 11 dhjetorit.

Konkretisht, bie vendimi i Bashës, i cili një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re – më 9 shtator 2021 – përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i Bashës erdhi pas shpalljes së ish-kryeministrit dhe familjes së tij si persona non-grata nga SHBA-të.

Pikërisht ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 maj të vitit 2021, do të sillte një përçarje “të thellë” të demokratëve.

Por, si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore