Lajme

Patriarku Porfirije konsideron si të “dëmshëm” anëtarësimin e Kosovës në KiE


Christopher Hill, Patriarku Porfirije dhe James O’Brien

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, të shtunën pas një takimi që ka realizuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar si të “dëmshëm” anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Kisha Ortodokse Serbe pas takimit që Porfirije ka realizuar me diplomatët amerikanë, theksohet se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka ndryshuar qëndrim në raport me shtetësinë e Kosovës.

O’Brien në një konferencë për media së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet.

O’Brien rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë në mënyrë që ata të kuptojnë se si do të duket jeta e tyre”.

“Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush obligimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes dhe të tjerëve”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore