Lajme

Pasojat me të cilat ballafaqohen Kosova dhe Serbia nëse s’ka konstruktivitet në Ohër


Ilustrim/Albanian Post

Tri ditë kanë mbetur nga takimi i 18 marsit në Ohër, ku Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të ulën përsëri në tavolinën e bisedimeve për të negociuar planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pritshmëria e komunitetit ndërkombëtar është e qartë – kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë duhet të tërhiqen nga vijat e tyre të kuqe për të mundësuar një kompromis “të sinqertë dhe të besueshëm”.

Në të kundërtën Kosova dhe Serbia ballafaqohen me pasoja. Kështu të paktën thuhet në kornizën e re për “Parimet themelore të procesit të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë” me një aneks për pasojën e mos-nënshkrimit, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Çfarë ndodhë nëse palët nuk tregohen konstruktiv dhe nuk e nënshkruajnë marrëveshjen? Serbia fillimisht do të humbasë mbështetjen e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. “Serbia nuk ka veto në unitetin e BE-së/NATO-s.

Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht rezultatit, BE/NATO në fund do të flasin në një zë për Kosovën”, thotë dokumenti trefaqësh të cilën e ka siguruar AP.

Mungesa e harmonizimit të pozicionit të Serbisë me 27 shtetet anëtare të BE-së, siç shpjegon non-paperi, do të krijojë një mundësi për Kosovën për të u rritur pa nevojën për të bashkëpunuar me Beogradin.

Kurse, sa i përket Kosovës, refuzimi për të respektuar marrëveshjet e mëparshme mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen.

“Në rast zhgënjimi, partnerët perëndimorë nuk do të kenë arsye/incentive për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Pa këtë mbështetje esenciale, Kosova mund të shohë prapa-kthim në disa fusha”.

Korniza e siguruar nga Albanian Post i cili përmban “vërejte të rëndësishme”, saktëson se nëse refuzohet marrëveshja rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në Union pezullohet dhe vije deri te izolimi që mund të pasojë “me trazira të brendshme”.

“Kosova dhe Serbia me pranim të marrëveshjes ‘harmonizojnë pozicionet e tyre me 27 shtetet e Bashkimit Evropian’, nëse e refuzojnë atë, ‘pezullojnë rrugën e integrimit në BE-së dhe hedhin poshtë të gjitha proceset dhe përfitimet e lidhura me të. Izolimi dhe trazirat e brendshme pasojnë së shpejti’”, thuhet ndër të tjera në non-paper.

Ndryshe korniza në fjalë, përveç ndëshkimeve parasheh edhe shpërblime në rast se Kosova dhe Serbia pranojnë marrëveshjen.

Me konstruktivitetin e treguar BE-ja mbështet aktivisht të dyja palët financiarisht.

Ekskluzive, shënimet kritike të Marrëveshjes: Kosova dhe Serbia respektojnë vijat e kuqe, mundësojnë kompromisin, pranojnë marrëveshjen, fitojnë rrugë evropiane dhe mbështetje financiare – ndryshe, izolohen krejtësisht

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore