Shqipëria

Pasaporta shqiptare, e 31-ta në botë


Bota po jeton në një epokë të çuditshme pandemike, me shumë kufizime mbi lëvizjen dhe masa shtrënguese, por dëshira për të udhëtuar në vende të tjera, është e dëshmuar edhe me hapjen graduale të kufijve.

Për këto udhëtime duhet tashmë edhe një test i vlefshëm negativ ndaj COVID-19, ose të jesh i vaksinuar. Por, kryesorja, mbetet pasaporta. Një e fuqishme, e cila të hap dyert në shumë shtete, është gjithnjë e favorshme.

Në statistika botërore, Shqipëria renditet si vendi i 31-ë me pasaportën më të fuqishme në botë. Janë 94, shtetet për të cilat nuk duhet vizë për të udhëtuar nga Shqipëria.

Pozita e shqiptarëve është e favorshme në këtë aspekt, pasi ka edhe disa shtete të tjera, në të cilat viza merret në vendmbërritje. Mbi rajonin, shqiptarët janë në një rrugë të mesme.

Serbia ka pasaportën më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, me 104 shtete të aksesueshme pa viza. Maqedonia e Veriut është gjithashtu më e favorizuar, me kufij pa viza me 99 vende.

Shqipëria renditet e treta në rajon, e ndjekur nga Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina e në fund Kosova.

Këta të fundit, nuk kanë nevojë për viza vetëm me 30 vende në gjithë botën. Por, fakti është se Bashkimi Evropian nuk ka ende vendim për heqjen e vizave me Kosovën. Ndaj, kjo e penalizon shtetin e fundit të mëvehtësuar në rajonin e Ballkanit.

Për sa i përket botës, është Zelanda e Re ajo që ka pasaportën më të fuqishme.

Në sy bien edhe shtete evropiane si Republika Çeke, Polonia dhe Hungaria. Të tre shtetet ndajnë vendin e pestë në botë për fuqinë e pasaportës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore