Lajme

Pas takimeve në Prishtinë, Cramon viziton Graçanicën


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Deputetja e Parlamentit Evropian njëherësh edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas takimeve që ka pasur të premten me liderët e shtetit dhe partitë opozitare në Prishtinë, të shtunën ajo pritet që të vizitojë Graçanicën.

Në ditën e parë të vizitës së saj në Kosovë, Cramon është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Osmani, në takimin e së premtes me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ia ka theksuar asaj rëndësinë e largimit të masave të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog”.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, është thënë se Osmani ka ritheksuar qëndrimin e Kosovës në raport me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

“Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve”.

Teksa, janë bërë të ditura edhe diskutimet e tjera që kanë pasur Osmani me Cramon-in.

“Në takim u diskutua po ashtu për faktin që ky do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol për implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në vendin tonë, në rajon dhe përtej”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Në takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE”.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është takuar me raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon me të cilën ka diskutuar për proceset aktuale politike.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon Taubadel, me të cilin diskutoi për proceset aktuale politike në vendin tonë dhe çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës”.

Në takim është thënë se Cramon dhe Konjufca, kanë diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, e po ashtu edhe për rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

“Kryetari Konjufca e njoftoi raportuesen von Cramon për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve që lidhen me këtë proces, ndërsa shprehu kënaqësinë që tashmë edhe qytetarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Schengen”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Takimet me opozitën

Von Cramon, takim më 12 janar ka zhvilluar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Abdixhiku, von Cramon-in, e ka falënderuar për mbështetjen e saj në procesin e liberalizimit të vizave.

“Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës, në veçanti gjatë procesit të liberalizimit të vizave, si një hap i vonuar për popullin e Kosovës”.

“Kryetari Abdixhiku po ashtu falënderoi Viola von Cramon për avokimin e saj në procesin e liberalizimit gjatë gjithë kohës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LDK-ja.

Po ashtu, është thënë se Cramon dhe Abdixhiku diskutuan edhe për temat aktuale.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në takim me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi, në këtë takim ka kërkuar nga Cramon që të avokoj për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Nga raportuesja von Cramon kërkova që ajo të avokoj edhe për heqjen e sanksioneve të BE-së kundrejt shtetit tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si pasojë e papërgjegjësisë politike të një Qeverie të paaftë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se kanë biseduar edhe për zhvillimet politike dhe sigurinë në Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Liberalizimi i vizave është një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës, kishte thënë në një intervistë për Albanian Post, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo ishte shprehur e lumtur që më në fund, pas më shumë se një dekadë pritjeje, qytetarët e Kosovës s’do ta kenë më barrën burokratike e të tejzgjatur të pajisjes me vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sa i përket kritikave se hapja e kufirit rrezikon të inkurajojë emigracionin ose të hapë rrugën drejt migrimit të paligjshëm, duke marrë parasysh situatën socio-politike në Kosovë, ajo kishte deklaruar se i takon institucioneve të punojnë në këtë drejtim.

Një element tjetër me rëndësi që del nga ky proces, sipas von Cramon, ishte fakti se liberalizimi i vizave mund të jetë me të vërtetë një nxitje për serbët e Kosovës që të pajisen me dokumente të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore